Botë
Bajden: Lufta me Hamasin të mos shndërrohet në një konflikt më të gjerë
18.10.2023 09:22
Presidenti amerikan, Xho Bajden, do të vizitojë sot Izraelin për të bërë përpjekje diplomatike...

Presidenti amerikan, Xho Bajden, do të vizitojë sot Izraelin për të bërë përpjekje diplomatike që lufta me Hamasin të mos shndërrohet në një konflikt më të gjerë. Fillimisht, Bajden ishte paraparë të vizitonte edhe Jordaninë, por takimet e tij me liderët arabë janë anuluar teksa ai u nis nga Uashingtoni.
Tani Bajden do të qëndrojë vetëm në Izrael, ku do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanjahu. Izraeli është duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm tokësor të Gazës në përgjigje të sulmeve të grupit militant palestinez, Hamas, që kanë lënë të vrarë 1,400 izraelitë. Bajden tha përmes një deklarate se ishte “i zemëruar dhe thellësisht i pikëlluar nga shpërthimi në spitalin “Al-Ahli” në Gazë dhe për humbjen e tmerrshme të jetës si rezultat i shpërthimit.”. Ai po ashtu tha se “kam udhëzuar ekipin tim të sigurisë kombëtare për të vazhduar mbledhjen e informacioneve lidhur me atë se çfarë ndodhi saktësisht.”.
Protestat mbërthyen mbarë rajonin pas vdekjeve të raportuara në spitalin e Gazës, në të cilin po trajtoheshin palestinezët e plagosur dhe ku gjendeshin edhe civilë të tjerë që po strehoheshin nga luftimet. Zemërimi për shpërthimin në spital bëri që Bajdenit t’i aludohej vizita në Jordani, ku Mbreti Abdullah II kishte planifikuar të ishte nikoqir i një takimi me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas dhe presidentit egjiptian, Abdel Fetah el-Sisi. Por, Abas u tërhoq nga takimi në shenjë proteste dhe më pas samiti u anulua. Vizita e liderit amerikan në Izrael përkon edhe me rritjen e shqetësimeve humanitare në Gazë, territor ku Izraeli ka bllokuar dërgesat me ushqim, karburante dhe ujë.
