Varroset veprimtari i njohur, Ruzhdi Veliu-“Jehoni”

12.03.2015 17:14

Sot në varrezat e fshatit Kollarë të Kërçovës u varros veprimtari, Ruzhdi Veliu...

Për t’i dhënë lamtumirën e fundit djaloshit që bëri bujë me aktivitetet e tij në LPK dhe në përgatitjen e luftës popullore, si dhe pjesëmarrës në aksione të ndryshme deri në vitin 2001, kishin ardhur miq e shokë dhe bashkëveprimtarë nga të gjitha viset shqiptare.

Ruzhdi Veliu, i njohur me nofkën “Jehoni”, që në moshë të re ishte kyçur në aktivitetet e LPK-së. Ai ishte bashkuar në veprimtarinë ilegale të asaj kohe, që më vonë të jetë pjesë e përgatitjes së luftërave që do të pasonin dhe pjesëmarrës në aksionet e guximshme guerilase në zonën e dytë operative, tha në referatin kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Ruzhdi Veliut bashkëveprimtari dhe nipi i tij, Fatmir Limani, i cili shtoi se misioni i “Jehonit” vazhdoi në mënyrë intensive deri në vitin 2001, kur ai kidnapohet nga forcat policore si veprimtarë i guximshëm dhe vëlla i Fazli Veliut. 

Në emër të familjes dhe në emër të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, të pranishmëve në ceremoninë mortore iu drejtua lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili potencoi se “pas shumë vitesh pritje, ne sot realizojmë një amanet të nënës së Ruzhdiut, që ai të prehet pranë saj, e përcjellim që të prehet në përjetësi, pranë Fazli, Hazem e Kasum Llanit dhe trimave të tjerë të kësaj familje, që kanë derdhur gjakun e tyre në luftërat e përgjakshme për idealet e lirisë”.

Për t’i shprehur ngushëllime familjes Veliu, kishin ardhur edhe familjarë dëshmorësh, bashkëveprimtarë të Ruzhdiut nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa kujtime mbi veprën e tij sollën Bardhyl Llagami, babai i komandant “Shpendit”, Xhemë Jashari, vëllai i komandantit legjendar Ismet Jashari, kryetari i LPK-së, Emrush Xhemajli, si dhe kryetari i Unionit të Studentëve të USHT-së. (Shaban Dalipi, TVM2)