Maqedoni
Rruga e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit, përplasen PKMSh-ja dhe Komuna e Tetovës
18.10.2023 13:44
Rikonstruimi i rrugës së vikend shtëpizave në Kodër të Diellit ka përplasur Ndërmarrjen Publike të Parkut Kombëtar “Mali Sharr” dhe Komunën e Tetovës. ...

Rikonstruimi i rrugës së vikend shtëpizave në Kodër të Diellit ka përplasur Ndërmarrjen Publike të Parkut Kombëtar “Mali Sharr” dhe Komunën e Tetovës. Drejtori i PKMSh-së, Ibrahim Dehari, akuzoi dje Komunën e Tetovës se të gjitha mbetjet dhe mbeturinat nga rikonstruimi i rrugës i hedh në vende të papërshtatshme dhe shkatërron natyrën.
“Video materiali që shihni pas meje është pjesë e punimeve për riparimin e rrugës në lagjen e vilave. Punimet filluan duke gërryer asfaltin ekzistues për çka do të thoni investim kapital dhe e gjitha me qëllim përmirësimin e infrastrukturës, por pyesim komunën se ku dhe si e ka menduar hedhjen e këtyre mbetjeve të ngurta dhe të dëmshme. Për fat të keq i gjithë ky material dhe mbeturinat që nxirën nga kjo rrugë, përfundojnë duke shkatërruar natyrën.”, - deklaroi drejtori i PKMSh-së, Ibrahim Dehari.
Kryeshefi i Inspektoratit të Tetovës, Sedat Sulejmani, tha se këto mbeturina të hedhura nga kompani do të largohen, pasi e njëjta i ka hedhur në vend të papërshtatshëm.
“Ne si komunë, pas arritjes së këtij reagimi, kërkuam nga Inspektorati komunal të verifikojë këtë dhe të marr masa menjëherë. Pas dokumentimit të rastit, Inspektorati komunal ka urdhëruar kompaninë që merret me rikonstruimim e rrugës, e vikend shtëpizave që sa me shpejtë të largojë materialin e deponuar në mënyrë të paligjshme, në vendet e papërshtatshme. Dhe kjo gjithsesi do të bëhet.”, - theksoi kryeshefi i Inspektoratit të Komunës së Tetovës, Sedat Sulejmani.
Investimi në rrugën e vikend shtëpizave në Kodër të Diellit erdhi si kërkesë e shumë banorëve të asaj pjese, ku përveç rrugës ata kërkojnë edhe ndërtimin e kanalizimeve dhe ndriçimit publik.
VISAR SADIKI
