Maqedoni
Rasti i Onkologjisë, Milloshovski: A ka kryer FSSh-ja kontrolle të rregullta?
18.10.2023 14:24
Komisioni anketues i ngritur nga Kuvendi për përcaktimin e përgjegjësisë për skandalin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë...

Komisioni anketues i ngritur nga Kuvendi për përcaktimin e përgjegjësisë për skandalin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve, ekspertëve, por edhe me shqyrtimin e akteve dhe dokumenteve. A është i detyruar Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të japë pëlqim për kërkesën e një klinike të caktuar për mjete shtesë, a ka kryer FSSh-ja kontrolle të rregullta apo të jashtëzakonshme në periudhën nga viti 2018 deri në publikimin e raportit nga Entit Shtetëror për Revizion për rastin e Onkologjisë dhe nëse po, çfarë treguan ato kontrolle? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që deputetët e VMRO-DPMNE-së i parashtruan ish-drejtorit të FSSh-së, Orhan Ramadani në Komisionin Anketues.
“Nëse ky pëlqim, të cilin Fondi është i detyruar me ligj t'ua japë klinikave gjatë prokurimit të ilaçeve, është i detyrueshëm për t'u respektuar nga klinika që kërkon pëlqimin, për shkak të çmimit të prokurimit. Apo është një pëlqim paushall që klinika nuk është e detyruar ta respektojë dhe mund ta kapërcej çmimin.?!”, - theksoi Antonio Miloshovski nga VMRO-DPMNE-ja.
“Klinika mund të prokurojë ilaçe të caktuara që nuk janë në listën pozitive me kusht nëse fillimisht merr pajtueshmëri nga Ministria e Shëndetësisë për ilaçet e caktuara dhe më pas dokumentacioni vjen tek Fondi dhe ky institucion përmes shërbimeve shikon nëse ka nevojë për ato ilaçe dhe a ka buxhet për të njëjtat.”, - u shpreh ish-drejtori i FSSh-së, Orhan Ramadani.
Kontroll i rregullt në vitin 2019, Ramadani: U konstatua një procedurë e koduar gabimisht
Deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq, pyeti nëse deri sa Ramadani ka qenë drejtor ka marrë raport për punë të kundërligjshme dhe keqpërdorim të barnave në Klinikën e Onkologjisë.
“Deri sa keni qenë drejtor në FSSh, a ka pasur paraqitje të rasteve për punë të kundërligjshme ose keqpërdorim të ilaçeve në Klinikën për Onkologji periudha 2015 deri më 2020. Dhe ju si fond a keni kryer kontrolle të rregullta në punë, sepse jeni institucioni që siguron mjete financiare për punën e klinikave.”, - u shpreh Nenad Kociq nga LSDM-ja.
“Në vitin 2017 është bërë kontrolli i buxhetit të kushtëzuar. Në të dyja rastet është konstatuar se nuk është dorëzuar dokumentacioni mjekësor për tretman të aplikuar, sepse e njëjta nuk është aplikuar për arsye të furnizimit të parealizuar. Gjatë kontrollit të rregullt në vitin 2019 është konstatuar një procedurë e koduar gabimisht.”, - theksoi ish-drejtori i FSSh-së, Orhan Ramadani.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së thonë se këto dëshmi vetëm konfirmojnë se ish-drejtori i Onkologjisë, Dr. Nino Vasev, ka qenë mbi ligjin, mbi pëlqimet dhe mbi kufizimet që i ka dhënë Fondi për barnat.
SANIJE DURAKU
