Maqedoni
Komuniteti i biznesit: Të përdoret ndërmjetësimi në kontestet me komunat dhe shtetin
18.10.2023 15:02
Komuniteti i biznesit duhet të përdorë ndërmjetësimin jo vetëm në mosmarrëveshjet mes vete...

Komuniteti i biznesit duhet të përdorë ndërmjetësimin jo vetëm në mosmarrëveshjet mes vete, por edhe me shtetin dhe komunat. Ky është vlerësimi i pjesëmarrësve në konferencën rajonale të ndërmjetësimit që u mbajt në kuadër të Odës Ekonomike. Në vendet e zhvilluara ndërmjetësimi është një procedurë e rregullt, kurse te ne ende përmendet si alternativë ndaj kontestit gjyqësore. Në vendin tonë, nga numri i përgjithshëm i ndërmjetësimeve, 45 për qind janë ndërmjetësime për mosmarrëveshje tregtare, por kjo shifër, sipas Dhomës, nuk mjafton.
“Ndërmjetësimin ta shfrytëzojnë kompanitë në marrëdhëniet e tyre të punës, jo vetëm me kompanitë, por edhe me shtetin dhe me vetëqeverisjen lokale, sepse ndërmjetësimi ka fuqinë e realizimit nëse marrëveshja solemnizohet përmes noterialit.”, - deklaroi kryetarja e Asociacionit për Përkrahje të Ndërmjetësimit, Jelisaveta Georgievska.
“Kemi problem evident me mungesën e numrit të gjykatësve dhe e gjithë kjo shkakton edhe vonesë në zgjidhjen e lëndëve dhe kjo shkakton pakënaqësi te qytetarët, po ashtu pamundëson ata që më shpejt të arrijnë deri te realizimi i të drejtave të tyre.”, - theksoi anëtari i Këshillit Gjyqësor dhe Ndërmjetësues, Milazim Mustafa.
“Ndonjëherë ndërmjetësimi ju mundëson që të mos i përmbaheni në mënyrë strikte sistemit juridik në njërën anë apo marrëveshjes nga ana tjetër. Për këtë shkak ndërmjetësimi mundëson që edhe në kushte ndërkombëtare të arrihet zgjidhje e pranueshme për palët dhe për këtë shkak unë e përkrah ndërmjetësimin në vendin tuaj.”, - u shpreh zëvendësambasadori i Gjermanisë, Oto Graf.
Qëllimi i ndërmjetësimit është që gjykatat të zvogëlojnë numrin e tepërt të lëndëve gjyqësore. Pas ndryshimit të ligjit për ndërmjetësim në vend janë realizuar 4,500 ndërmjetësime, që kanë filluar prej vitit 2017 deri në vitin 2023.
FLUTURA LATIFI
