Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, Kovaçevski: Zgjedhjet do të jenë të rregullta

18.10.2023 15:21

Kanë vazhduar “ethet” e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në bllokun politik...

Kanë vazhduar “ethet” e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në bllokun politik në vend dhe projeksionet për saktësimin e datës se kur do të mbahen ato. Kryeministri dhe njëherit kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë vit dhe se ato do të jenë të rregullta vitin e ardhshëm. Për Kovaçevskin, kjo çështje është e apslovuar dhe nuk sheh arsye për të diskutuar më shumë për këtë temë. 
 
“Që në paraqitjen time të parë pasi u bëra kryetar i Qeverisë më 16 janar të vitit të kaluar thash se do të ketë zgjedhje të rregullta. Pas paraqitjes time, opozita në disa raste tha se do të ketë zgjedhje të parakohshme, të cilat njëherë thonin se do të mbahen në qershor, shtator dhe dhjetor të vitit të kaluar dhe pastaj thanë se ato do të mbahen në mars dhe shtator të këtij viti. Për në fund opozita të na thotë se do të ketë zgjedhje të rregullta. Kështu që për mua kjo pyetje është e apsolvuar.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Por a do të ketë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare bashkë apo të ndara!? Kovaçevski thotë se kjo çështje do të diskutohet me të gjitha partitë. Tha se do të respektohen të gjitha afatet e para ligjore për organizimin e zgjedhjeve.  
 
“Data e zgjedhjeve është temë diskutimi mes të gjitha partive politike, jo vetëm mes dy partive politike. Si Kodi Zgjedhor, ashtu edhe mbajtja e zgjedhjeve bëhen në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, në përputhje me mandatet. Kësaj radhe kemi zgjedhje karakteristike pasi kemi edhe zgjedhje presidenciale edhe parlamentare dhe vlerësoj se ajo që kishte bërë grupi punues në të cilën për fat të keq VMRO-DPMNE-ja nuk mori pjesë në përgatitjen e Kodit Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OBSE-së dhe ODIHR-it, se do të jetë e formuar, ku të gjithë do mund të informohen dhe në përputhje të kësaj do të mund të merren më pas vendimet.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, tha se 8 maji është termini i mundshëm kur do të mund të mbaheshin rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe rrethi i parë i zgjedhjeve parlamentare dhe i bëri thirrje LSDM-së për të arritur konsensus dhe për të saktësuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve kohë më parë. 
 
REXHEP QAMILI