Maqedoni
Lëvizja Demokratike: Pas Mijallkovit, pushteti do të falë edhe Gruevskin
18.10.2023 15:38
Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit akuzon pushtetin se po punon në faljen e ish-kreut të VMRO - DPMNE-së, Nikolla Gruevski...

Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit akuzon pushtetin se po punon në faljen e ish-kreut të VMRO - DPMNE-së, Nikolla Gruevski, pasi ditë më parë nga burgu u lirua ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijallkovi. Nga kjo parti thonë se kjo po realizohet falë Kodit të ri Penal dhe BDI-ja po punon që edhe Gruevski të kthehet në Maqedoni, duke aluduar në vizitën e ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, në Budapest.
“Në çfarë cilësie Bujar Osmani vizitoi Budapestin dhe se a po përgatitet kthimi i Gruevskit, gjë që çdo ditë e më shumë po vërtetohet dhe i gjithë opinioni i gjerë lexon qartë se BDI-ja shpëtimin e vet e sheh pikërisht te kthimi i Nikolla Gruevskit. Dhe çfarë ndodhi? Vepra kriminale e përgjimit masiv u vjetrua dhe Mijallkovi shpëtoi edhe nga kjo padi.”, - deklaroi anëtari i Lëvizjes Demokratike, Haqim Ramadani.
Lirimi i Mijallkovit, Gërkovska: Fajtore gjykata, ka kohë për lëndët e PSP-së
Zëvendëskryeministrja e angazhuar për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska, edhe përkundër rezervave të saj sa i takon pasojave që mund të sjellë Kodi Penal, fajëson gjykatat për zvarritje të lëndëve. Gërkovska shprehet se ende ka kohë që lëndët e Prokurorisë Speciale të trajtohen.
“Andaj edhe kam shprehur rezervat e mia kur në Qeveri u propozua Kodi Penal. Dua që të apeloj organet gjyqësore të jenë më të përgjegjshme, pasi që konsideroj se ende ka kohë të mjaftueshme që pas aq shumë kohësh, rastet e Prokurorisë Speciale të procedohen dhe në një procedurë efikase dhe të drejtë të përmbyllen.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska.
Ditë më parë edhe nga Lëvizja “Besa” kritikuan lirimin e Mijallkovit nga burgu. Opozita shqiptare vlerëson se lirimi i Mijallkovit nga burgu do t’i kushtojë qytetarëve, pasi nga buxheti i shtetit do të duhet të paguhet dëmshpërblimi për të.
Lënda “Target&Fortesa”, për përgjimet masive u vjetërsua pasi pesë vite dhe nëntë muaj u zvarrit nëpër labirintet e gjykatave.
MERAL ISMAILI
