Zhernovski prezantoi “bombën e 9-të” me materiale të përgjuara

12.03.2015 17:28

Kryetari i Komunës së Qendrës, Andrej Zhernovski, publikoi sot audio-xhirime të përgjuara që kanë të bëjnë me manipulime zgjedhore gjatë zgjedhjeve lokale në këtë komunë në vitin 2013...

Në të ashtuquajturën “bomba e nëntë”-“E vërteta për Komunën Qendër”, Zhernovski prezantoi bisedat e përgjuara të kryeministrit, Nikolla Gruevski, Sasho Mijalkovit, Nikolla Todorovit, Mile Janakieskit, Gordana Jankullovskës dhe gazetarit, Dragan Pavlloviç-Llatas. 

Zhernovski, tha se në biseda dëgjohen tentativa për dhënie të ryshfetit për këshilltar, me qëllim që të bllokohet Këshilli i Komunës, pasi e kuptuan që kandidati i tyre i humbi zgjedhjet në Qendër. Po ashtu, prezantoi biseda për votuesit fantom, që për Jankullovskën paraqet problem se ku t’i vendos dhe si ministre e Punëve të Brendshme shpik arsye që të mos pranojë bisedë me Zhernovskin në lidhje me listën zgjedhore.

“Ministri i Transportit, Mile Janakieski, ka vendosur nën kontroll të tij edhe lëvizjen e ashensorëve të ndërtesave dhe si ai ka dhënë urdhër që të fiken ashensorët që të moshuarit të mos munden të votojnë”- deklaroi kryetari i Komunës së Qendrës, Andrej Zhernovski.

Përveç publikimit të audio-xhirimeve, ku dëgjohet se si kryeministri Gruevski kërkon nga Janakievski që sa më shumë fletëvotime të shpallen të pavlefshme, se si ministrja e MPB-së, Jankullovska, kërkon nga bashkëbiseduesi i saj të fshihen hark-disqet e kompjuterëve të Komunës së Qendrës, Zhernovski tha se zgjidhje e krizës në vend mund të arrihet nëse plotësohen kërkesat e kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.

“E para, dorëheqja e kryeministrit Gruevski, dorëheqja e prokurorit publik, Zverlevskit, dorëheqja e ekipit menaxhues të RTVM-së dhe nënkuptohet formimi i qeverisë kalimtare, e cila do të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike në RM-së”- tha kryetari i Komunës së Qendrës, Andrej Zhernovski.

Zhernovski, tha se qëndrimi i LSDM-së është i qartë, nëse pushti nuk dëshiron t’i pranojë këto kërkesa, atëherë pikërisht komuniteti ndërkombëtar mund t’i bind se pas këtyre audio-xhirimeve ata nuk mund të udhëheqin me shtetin. (Sanije Kasami, TVM2)