Shifrat e Silvinjos janë mbresëlënëse
18.10.2023 15:54
Nga ulja e tij në pankinën shqiptare trajneri Silvinjo, ka nisur të thyej rekordin e trajnerit Josip Kuzhe....

Nga ulja e tij në pankinën shqiptare trajneri Silvinjo, ka nisur të thyej rekordin e trajnerit Josip Kuzhe. Në një kohë rekord, që nga 27 marsi, kur zbriti në fushë kundër Polonisë, pa asnjë test miqësor në dispozicion, menjëherë kundër atyre që shiheshin si kokë grupi, e deri në mbrëmjen e së martës, më 17 tetor, Sylvinho vërtetoi se Duka ka bërë “bingo” me të në stol. Përjashto atë humbje, kundër Polonisë, nga ajo mbrëmje, Sylvinho dhe të besuarit e tij kanë nisur një rrugëtim fantastik.
Në 7 ndeshje në total, 6 zyrtare dhe një sfidë miqësore, Sylvinho ka siguruar 5 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje. Ndaj Bullgarisë, ishte ndeshja e 6 radhazi që Shqipëria nuk humbet, në kaq pak kohë, Sylvinho kalon De Biasin dhe kap Edy Rejan, vetëm i ndjeri kroati Kuzhe (2009-2011) ka bërë më mirë, me 8 ndeshje radhazi pa humbje, por mes tyre 5 ndeshje ishin miqësore. Duke lënë mënjanë, miqësoren me Bullgarinë, në 6 ndeshjet zyrtare në Grupin E, Sylvinho dhe të besuarit e tij kanë siguruar 4 fitore 1 barazim dhe vetëm 1 humbje, 13 pikë në total, 11 gola të shënuar vetëm 3 të pësuar, shifra që duken përtej realitetit shqiptar, shifra që nuk jemi mësuar t’i shohin e t’i dëgjojmë, por ky është një fakt, Shqipëria në drejtimin e Sylvinho-s është kthyer në një ekip fantastik që po e shijon e gjithë shqiptaria.
