Maqedoni
Rasti "Target dhe Fortesa", Kovaçevski: Fajin e kanë organet gjyqësore
18.10.2023 15:57
Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, fajin për vjetërsimin e lëndës "Target dhe Fortesa"...

Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, fajin për vjetërsimin e lëndës "Target dhe Fortesa", ku i akuzuar ishte ish-shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, ia lë mosefikasitetit gjyqësor edhe pse këtë vjetërsim të veprës e mundësuan ndryshimet e fundit në Kodin Penal. Përsëriti se ndryshimet në Kodin Penal kanë pasur për qëllim harmonizimin e legjislatives vendore me atë të BE-së dhe jo për raste gjyqësore.
“Përgjigjet për efikasitetin dhe mbarëvajtjen e procesit, unë nuk mund t’i jap, por ata që kanë punuar në këtë proces. Ndryshimet u bënë për shkak të harmonizimit me direktivat e BE-së dhe jo raste të caktuara gjyqësore, të cilat janë në procedurë 8, 9, 10 apo më shumë vjet.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Gir: S'kemi ndryshuar qëndrimin për Kodin Penal
Ndërkohë ambasadori i BE-së në vend, Dejvid Gir, nuk deshi të komentojë tërheqjen e akuzës për njërin nga rastet kyçe të PSP-së, megjithatë përsëriti se janë në qëndrimin e njëjtë sa i përket ndryshimeve të fundit në Kodin Penal.
“Mendoj se Komisioni Evropian ishte shumë i qartë sa i përket ndryshimeve të Kodit Penal. BE-ja edhe atëherë shprehi shqetësimin sa i përket implikimeve që i ka parimi i mosdënueshmërisë për shkak të këtyre ndryshimeve, gjithashtu përdorimi i flamurit evropian gjatë miratimit të këtyre ndryshimeve. Nga afër i ndjekim të gjitha ngjarjet që kanë lidhshmëri me gjyqësorin dhe pasojat që dalin nga ndryshimet e Kodit Penal.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në RMV, Dejvid Gir.
VMRO-DPMNE: Pendarovski, fajtor për vjetërsimin e lëndëve
Nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE-ja, vlerësojnë se presidenti Stevo Pendarovski ka pasur mundësinë të pengojë ndryshimet në Kodin Penal, por ka vendosur t’i dëgjojë urdhrat e Kovaçevskit dhe Ahmetit.
"Pendarovski ka mundur ta kthejë ligjin në rishqyrtim, por ka vendosur që verbërisht t'i zbatojë urdhrat e Kovaçevskit dhe Ahmetit. Me nënshkrimin e amendamenteve të Kodit Penal, Pendarovski fjalë për fjalë i shfuqizoi të gjithë zyrtarët e LDS-së dhe BDI-së që në periudhën e kaluar kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tyre zyrtar.".
Nga Instituti për Demokraci vlerësojnë se vjetërsimi i lëndëve si pasojë e ndryshimeve të fundit të Kodit Penal do të dekurajojnë qytetarët të kyçen në luftën kundër korrupsionit.
“Vjetërsimi i lëndëve që do të burojë nga ndryshimet e Kodit Penal do të dekurajojnë qytetarët të kyçen në luftën kundër korrupsionit. Kjo sugjeron se asgjë nuk mund të bëhet në luftën kundër korrupsionit dhe për fat të keq, kjo si reformistëve në Qeverisë, Organizatave joqeveritare dhe mediave të pavarura nuk iu ndihmon në këtë luftë.”, - u shpreh Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci.
Pjesa më e madhe e rasteve të PSP-së dështuan për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal më 6 shtator, ku u ulën dënimet për krimet e shoqërimit kriminal dhe shpërdorimit të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, për të cilat akuzohen pjesa më e madhe e të akuzuarve.
FLORIJE KAMBERI
