Maqedoni
Standardi i qytetarëve, VMRO: Varfërim i tmerrshëm i qytetarëve
18.10.2023 16:42
Kanë vazhduar përplasjet mes dy partive më të mëdha maqedonase...

Kanë vazhduar përplasjet mes dy partive më të mëdha maqedonase, këto të fundit janë përplasur rreth standardit jetësor të qytetarëve.
Sipas VMRO-DPMNE-së opozitare, qytetarët e vendit po përballen me një varfërim të tmerrshëm dhe rënie të standardit jetësor, ku shpenzimet ditore janë 4 herë më të shtrenjta se sa në Bashkimin Evropian, ndërsa edhe më shumë këtë situatë e rëndon rritja e re të TVSh-së nga 5 në 10% për produktet ushqimore bazë.
“Politikat e gabuara dhe lakmia e kësaj Qeverie i kanë sjellë jeta e qytetarëve të jetë me këste. Nuk është çudi që parashikimet janë që deri në fund të vitit rreth 600 mijë qytetarë të jetojnë në varfëri, e prej tyre 80 mijë qytetarë me vetëm 60 denarë në ditë. Një qytetar i varfër me 60 denarë në ditë nuk mund të blejë as dy bukë, ndërsa në bifenë e Qeverisë, ministrat me pagë prej 2,000 eurosh ushqehen me çmime qesharake.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
LSDM: Mbështetje rekorde për kompanitë vendore
Por, këtyre akuzave i janë përgjigjur nga LSDM-ja, sipas të cilëve në gjashtë vitet e fundit, LSDM-ja ka ofruar mbështetje rekord prej 100 milionë euro për 919 kompani vendore.
“Politikat e suksesshme ekonomike të Qeverisë së LSDM-së po japin rezultate, mbështetja për kompanitë vendore po rritet. Në gjashtë vitet e fundit, LSDM-ja ka ofruar mbështetje shtetërore rekord prej 100 milionë euro për 919 kompani vendore, përmes Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve. Këto kompani tashmë kanë realizuar investime prej 500 milionë euro, ndërsa 300 milionë të tjera janë në fazën e realizimit në periudhën e ardhshme.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Nga LSDM-ja kanë pohuar se VMRO-DPMNE-ja po tregon të pavërteta, vetëm sa për të fituar ndonjë pikë politike, por e mira e gjithë kësaj, sipas tyre është se qytetarët po e shohin këtë përmirësim të standardit jetësor.
FITIM KRYEZIU
