Ambasadorja Oer: Gjendja politike, problem i vërtetë

12.03.2015 17:33

Komuniteti ndërkombëtar vazhdon të alarmojë situatën politike në vend dhe në kontinuitet kërkon zgjidhje sa më të shpejtë të krizës...

Ambasadorja e Francës në vend, duke shprehur shqetësimin e saj, tha se situata politike është një problem i vërtetë, por që duhen të merren parasysh edhe problemet e tjera me të cilat ballafaqohet Maqedonia, duke mos harruar edhe transparencën e mediumeve dhe punën e tyre në kushte normale.

“Nuk them se gjendja politike nuk është problem i vërtetë, megjithatë ekzistojnë edhe punë të tjera që kanë të bëjnë me ardhmërinë e vendit dhe njëra ndër to është ambienti jetësor”- deklaroi ambasadorja e Francës, Lorens Oer.

Shqetësim rreth situatës aktuale politike me të cilën po ballafaqohet Maqedonia tanimë ka shprehur edhe sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili u takua me kryeministrin, Nikolla Gruevski, në Bruksel, si dhe eurodeputetët të cilët e votuan draft-rezolutën për progresin e Maqedonisë, në të cilën kërkohet ndërmjetësim i shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherinit.

Për eurodeputetët shqetësim plotësues paraqet edhe fakti që Maqedonia në vend që të bëjë progres, ajo bën regres, ndërsa afera e përgjimeve masive po i bie sistemit politik dhe demokratik të shoqërisë. (Besa Jashari, TVM2)