Maqedoni

Kryqi i Kuq simulon ndihmë në rast fatkeqësie nga tërmeti

18.10.2023 17:26

Përmes një stimulimi të ndihmës së parë në situatë emergjente të tërmetit...

Përmes një stimulimi të ndihmës së parë në situatë emergjente të tërmetit, Kryqi i Kuq në bashkëpunim me institucionet tjera kompetente, treguan se si duhet të përballemi në rast të një fatkeqësie të tillë. 
 
Presidenti Stevo Pendarovski theksoi se ky ushtrim tregoi të gjitha aspektet pozitive të partneritetit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe lidhjen ndërsektoriale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
 
"Qytetarët tanë përmes kësaj që e panë, mund të jenë të sigurt se edhe nëse kemi situata të tilla të tërmetit, ka institucione dhe ka koordinim dhe harmonizim të shkëlqyeshëm ndërmjet sektorit shtetëror dhe privat, bashkëpunim të shkëlqyer ndërkombëtar, rajonal dhe në rast se kemi situatë të tillë, përgjigjja do të ishte në nivelin më të lartë të mundshëm, që nënkupton shpëtimin e jetës së njerëzve, uljen e destruktivitetit dhe vuajtjeve të cilat janë të pashmangshme në situata të tilla.", - deklaroi presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski. 
 
Nga Kryqi i Kuq thonë se nëpërmjet këtyre stërvitjeve synohet që të thellohet bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse të shpëtimit dhe sigurisë. 
 
“Kryqi i Kuq veç më hyn në fazën e ardhshme të zhvillimit të tij, ku seriozisht kandidon si subjekt i barabartë me të gjitha institucionet tjera, por pa pretendime që të marrë rolin e institucioneve tjera. Ambicia jonë është që të jemi bashkëpunëtor i mirë i institucioneve në vendin tonë, me qëllim që të gjithë së bashku të jemi më të suksesshëm.”, - theksoi sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti. 
 
Përndryshe pjesëmarrës në stërvitje ishin Kryqi i Kuq, Qendra për Menaxhimin e Krizave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ushtria, Ndihma Mjekësore Emergjente. Stërvitja në fjalë është pjesë e ngjarjeve që shënojnë 60 vjetorin nga tërmeti katastrofik në Shkup.
 
BELINDA KOKA ADEMI