Zhernovski: Ndodhemi në fazë të ndjeshme,zgjidhjen duhet kërkuar në dialog
Zhvillimet e përgjithshme politike në vend, veçanërisht pas aferës me përgjimet dhe rastin “Puç”, kanë qenë në fokusin e bisedimeve midis ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhes Bejlit dhe kryetarit të Komunës Qendër, Andrej Zhernovskit...

Ky i fundit, pas takimit tha se vendi ka hyrë në një fazë të ndjeshme, ndërsa zgjidhjen duhet kërkuar në dialog midis palëve.
“Bashkërisht konstatuam se duhet detyrimisht të ndërmerren hapa konkrete nga dy palët, edhe nga pushteti edhe nga opozita, për të kthyer besimin te institucionet. Gradualisht po futemi të gjithë në një fazë të ndjeshme, ku duhet të gjinden zgjidhje dhe të bisedohet në tavolinë të përbashkët. Një hap shumë i rëndësishëm për dalje nga kriza është emërimi i prokurorit të pavarur publik. Jam i sigurt se kjo ka mbështetje, ndërsa procesi i tërë duhet të jetë i vëzhguar nga jashtë”- deklaroi kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.
I pyetur nëse kryeprokuror mund të emërtohet një i huaj, Zhernovski tha se për besimin e shtetit është më mirë që ai të zgjidhet nga radhët e prokurorëve në Maqedoni. Sipas tij, ndonëse vështirë, megjithatë konsideron se ka njerëz të ndershëm në gjyqësinë e vendit. (Naim Ramadani, TVM2)
