Botë

ShBA-ja dërgoi luftanije shtesë në Izrael, vë në gatishmëri 2 mijë trupa

19.10.2023 09:09

Pak orë pas sulmit të tmerrshëm të Hamasit më 7 Tetor, Shtetet e Bashkuara filluan t’i dërgojnë luftanijet dhe avionët...

Të martën e 17 tetorit, luftanije shtesë dhe trupa amerikane u nisën drejt Izraelit, ndërsa trupa të tjerë në ShBA po përgatiten për t’u zhvendosur atje, nëse iu kërkohet. Një aeroplanmbajtës amerikan dhe flota e tij detare janë vendosur tashmë në lindje të Detit Mesdhe, ndërsa një tjetër është rrugës për atje. Forcat amerikane për operacione speciale po punojnë me Ushtrinë e Izraelit në planifikim dhe inteligjencë.

Deri të martën, pesë dërgesa me armë dhe pajisje amerikane kanë mbërritur në Izrael. E tërë kjo përgatitje pasqyron shqetësimet e shtuara të Shteteve të Bashkuara se lufta vdekjeprurëse mes Hamasit dhe Izraelit do të përshkallëzohet dhe përhapet në një konflikt më të gjerë rajonal. Zyrtarët e Mbrojtjes së ShBA-së thonë se administrata i ka dhënë tashmë Izraelit bomba të vogla, municione të tjera dhe raketa interceptuese për sistemin e vet mbrojtës ajror, Kupola e Hekurt, dhe se do t’i japin edhe më shumë. Municioni që ShBA-ja do t’ia dhurojë Izraelit për Kupolën e Hekurt me gjasë do të jetë shtesë, pasi Izraeli ka porositur tashmë municion, si dhe do të jetë pjesë e pakos së ndihmave ushtarake. Austini urdhëroi 2,000 trupa të forcave amerikane të jenë të gatshëm për t’u zhvendosur, nëse është e nevojshme, në ditët apo javët në vijim.