Botë
Agresioni ndaj Kosovës, PE-ja pritet të miratojë rezolutë të posaçme
19.10.2023 11:37
Parlamenti Evropian do të miratojë të enjten një rezolutë të posaçme për aktin terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë...

Parlamenti Evropian do të miratojë të enjten një rezolutë të posaçme për aktin terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë, në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku, dhe u plagosën dy të tjerë. Rezoluta do të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar dhe pritet të miratohet sot gjatë seancës plenare të PE-së.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në Komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku. Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë dhe si pasojë tre prej sulmuesve u vranë. Policia kosovare i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit.
