Protesta në Tiranë, kërkohet dorëheqja e Ilir Metës
Protesta e opozitës për të rrëzuar kryetarin e Kuvendit, Ilir Metën, ka zgjatur më pak se një orë...

E nisur në Sheshin “Skënderbej” dhe e përfunduar para selisë së qeverisë, kjo protestë ishte paralajmëruar madhështore, por që besohet se pjesëmarrja e të pranishmëve nuk i ka kaluar 10 mijë persona.
Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, i kërkoi dyshes Rama-Meta të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe të japin dorëheqjen.
Kjo protestë është paraprirë nga një seancë plenare më e shkurtra në histori, e cila ka zgjatur vetëm 15 minuta. Demokratët akuzuan se Meta ka frikë të përballet me protestuesit, por kryeministri Rama është lutur që të lihet drejtësia të flasë.
Protesta është bërë me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kreut të kuvendit, pasi, sipas opozitës, ata akuzohen për tentativën e vrasjes së deputetëve, Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Por, denoncimi i bërë nga këta dy deputetë është nën hetim intensiv nga prokuroria dhe shoqërohet me mjaft mospërputhje të deklaratave të tyre. (Luljeta Ndoka, TVM2)
