Maqedoni
MASh: Korniza Kombëtare e Kualifikimeve mundëson konkurrencë në tregun e punës
19.10.2023 15:31
Ministria e Arsimit dhe Shkencës shënoi 10 vjetorin e themelimit të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve...

Ministria e Arsimit dhe Shkencës shënoi 10 vjetorin e themelimit të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, standard kombëtar për rregullimin, përfitimin dhe përdorimin e mëtejshëm të kualifikimeve të fituara në përputhje me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve. Përfaqësuesit e BE-së dhe të Lituanisë, të cilat bashkërisht zbatojnë këtë program në vend, vlerësojnë se është arritur progres i rëndësishëm në përafrimin e standardeve tona me kornizën evropiane, e cila u mundëson qytetarëve, që kualifikimet e përfituara nga sistemi ynë arsimor të jenë të dobishme për ta edhe në tregun e punës jashtë vendit.
“Kur flasim për kornizën kombëtare të kualifikimeve, flasim për një transferim të nevojshëm të të gjithë shoqërisë, e cila nënkupton transformim të procesit arsimor, duke i marrë parasysh nevojat në tregun e punës. Njëkohësisht flasim për aftësitë e ndryshme dhe për mësuarit gjatë gjithë jetës që është e nevojshme në këto momente dhe për mobilizim më të madh të studentëve.”, - deklaroi përfaqësuesi i BE-së, Aleksandar Albu.
“Fokusi në këtë projekt është i fokusuar në sigurimin e cilësisë në arsim, ndërtimin e kapaciteteve që janë të nevojshme për zbatimin e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe përforcimi i tyre. Njëkohësisht po punojmë në aktivitete për ngritjen e ndërgjegjësimit dhe vetëdijes në këtë fushë.”, - theksoi përfaqësuesja e Lituanisë, Jolita Butkjene.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se Korniza Kombëtare e Kualifikimeve është mjet jashtëzakonisht i rëndësishëm për formimin e “dosjes” për aftësitë e fituara dhe për rezultatin e procesit arsimor të çdo qytetari.
“Ne sot jetojmë në kohën e mobilizimit të madh të qytetarëve dhe të punëdhënësve. Punëdhënësit për çdo ditë janë në një betejë të madhe për të siguruar punëtorë cilësor dhe të kualifikuar. I përmenda këto dy procese, sepse që të dyja po gërshetohen në një pikë të përbashkët të kualifikimeve dhe mundësive për të njohur aftësitë e shumta në tregun e punës. Andaj për këto çështje po paraqitet rëndësia dhe nevoja për Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve.”, - u shpreh zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Agim Nuhiu.
Për përkrahjen e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, mbështetje pa rezervë jepet nga tre vendet anëtare të BE-së; Litvania, Sllovenia dhe Franca.
REXHEP QAMILI
