Maqedoni
Kumanovë, reformat në KPSh po japin rezultate
19.10.2023 16:50
Shtëpinë e shëndetit në Kumanovë e vizitoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i shoqëruar nga Ane Johansen...

Shtëpinë e shëndetit në Kumanovë e vizitoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i shoqëruar nga Ane Johansen, përfaqësuese speciale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për RMV-në, e njëherit shefe e zyrës së OBSh-së në Shkup. Qëllimi i vizitës ishte vështrimi i reformave në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
“Më vjen mirë që risitë që kemi bërë në KPSh-në po funksionojnë shkëlqyeshëm. Kemi mundësuar afrimin dhe thjeshtësimin e shërbimit për të gjithë pacientët. Sot në Shtëpinë e Shëndetit, Kumanovë, me mjekët amë bisedova për hapin e dytë të reformës në KPSh, më konkretisht për dhënien e udhëzimeve laboratorike që tani mund të lëshohen nga mjekët amë. Testet laboratorike që mbulohen nga reforma janë statusi i glukozës, ai lipid hormonal dhe statusi proteinor. Me këtë rrisim mundësinë diagnostifikuese dhe monitoruese të pacientëve kronik për pesë sëmundjet më të shpeshta dhe në të njëjtën kohë rikthejmë reputacionin e mjekëve amë.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Mexhiti gjithashtu njoftoi se nga fillimi i shtatorit kur ka filluar aplikimi i kësaj mase dhe deri më tani janë lëshuar 21,206 udhëzime të këtij lloji për laborator. Ndërkaq në të ardhmen janë paraparë edhe risi të tjera.
“Hapi i radhës i reformës që do të zbatojmë është braktisja e plotë e letrës dhe vendosja e regjistrit elektronik për monitorim të pacientëve në shëndetësinë primare. Ky transformim i KPSh-së është bërë në bazë të një analize të detajuar, që e kemi bërë në MSh dhe me mbështetjen e institucioneve të tjera dhe me OBSh-në, për të cilën shprehi mirënjohje të veçantë dhe për të nderuar Dr. Ane Johansen, përfaqësuese speciale e OBSh-së për RMV-në.”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Ministri Mexhiti paralajmëroi angazhime të tjera për transformimin e sistemit shëndetësor në drejtim të modernizimit dhe integrimit në dobi të pacientëve.
FATLUM AQIFI
