Maqedoni

Kodi i ri Penal, Xhelili: Nuk do t’i mbulojë ndryshimet e fundit

19.10.2023 18:01

Kodi i ri Penal mund të sjellë vetëm përfitime dhe assesi të jetë në dëm të të akuzuarve...

Kodi i ri Penal mund të sjellë vetëm përfitime dhe assesi të jetë në dëm të të akuzuarve për keqpërdorimin e detyrës dhe autorizimeve zyrtare, për shkak se legjislativa parashikon implementimin e ligjit më të favorshëm për të akuzuarit.
 
Kështu vlerëson eksperti i çështjeve juridike, Fadil Xhelili, sipas të cilit edhe sikur Kodi i ri Penal të parashikojë dënime më të larta për keqpërdoruesit e detyrës dhe autorizimeve zyrtare, ato do të thirren në Kodin Penal aktual që pësoi ndryshimet e fundit. Andaj nuk pret rritje të dënimeve.
 
“Nëse Kodi i ri Penal që paralajmërohet të sillet parashikon dënime më të larta nga ato që parashikon Kodi Penal aktual, gjithsesi të akuzuarit do të thirren në normat ligjore të Kodit aktual penal për shkak se ligji ua mundëson që ato gjithmonë të thirren tek ai Kod Penal, që është më i favorshëm për ta, gjegjësisht ato të Kodit Penal ku dënimet janë më të vogla, gjegjësisht më të buta ndaj të akuzuarve.”, - deklaroi eksperti juridik, Fadil Xhelili.
 
Pjesa më e madhe e rasteve të PSP-së dështuan për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal më 6 shtator, ku u ulën dënimet për krimet e shoqërimit kriminal dhe shpërdorimit të pozitës dhe autorizimeve zyrtar, për të cilat ngarkohen pjesa më e madhe e ish-funksionarëve. Së fundmi u tërhoq akuza për njërin nga rastet kyçe të PSP-së, "Target dhe Fortesa".
 
Fajin për vjetërsimin e këtyre lëndëve, kryeministri Kovaçevski ia lë mosefikasitetit gjyqësorë dhe jo ndryshimeve të fundit penal.
 
FLORIJE KAMBERI