Maqedoni
Kuvend, Konferencë për Dialogun Ndërparlamentar
20.10.2023 11:46
Është koha e duhur që të gjitha partitë politike që mbrojnë integrimin evropian në programet e tyre...

Është koha e duhur që të gjitha partitë politike që mbrojnë integrimin evropian në programet e tyre, të demonstrojnë angazhimin e tyre në veprim. Këtë e theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalën e tij hyrëse në hapjen e Konferencës për Dialogun Ndërparlamentar për avancimin e mëtejmë të integrimeve evropiane në Ballkanin Perëndimor.
“Si vend mbetemi të përkushtuar në implementimin e mëtejshëm të marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë nga viti 2017 dhe presim vullnet të mirë nga të dyja palët për ndërtimin e sigurisë gjatë zgjidhjes së çështjeve bilaterale.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Ndërkohë kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tini Koks, theksoi se Këshilli i Evropës do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut për arritjen e rezultateve të prekshme sa u përket reformave.
“Asambleja jonë parlamentare beson se me ndihmën që ofron Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, RMV-së , Serbisë dhe Kosovës, t’i realizojnë aspiratat e tyre për integrim evropian është çështje shumë e rëndësishme, jo vetëm për këto vende, kontinentin evropian por edhe për të mirën e banorëve evropian.”, - theksoi kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tini Koks.
Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Mariçiq, potencon se BE-ja duhet të aktivizojë politikën e zgjerimit.
“Urgjenca rreth aspiratave tona evropiane asnjëherë nuk ka qenë më e theksuar. Agresioni rus mbi Ukrainën, si asnjë krizë e mëparshme në Evropë, e kyçi alarmin se BE-ja duhet ta aktivizojë politikën e zgjerimit dhe të marrë për obligim redefinimin e rolit të saj në rajon. Lufta në Ukrainë, ngjarjet në rajonin tonë dhe në Lindjen e Afërme sërish e aktualizojnë çështjen për të ardhmen e Evropës, por edhe të Ballkanit Perëndimor që është cak i ndikimeve të jashtme dhe propagandave.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
