Botë
Lufta izraelito-palestineze, Izraeli bombardoi kishën ortodokse
20.10.2023 13:48
Ushtria izraelite ka bombarduar Kishën historike Ortodokse Greke “Shën Porfiri”...

Ushtria izraelite ka bombarduar Kishën historike Ortodokse Greke “Shën Porfiri”, në të cilën ishin strehuar palestinezët të zhvendosur nga Gaza. Në sulm humbën jetën 8 civilë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Kisha Ortodokse Greke “Shën Porfiri”, e lidhur me Kishën Anglikane në Kuds, ndodhet afërsisht 250 metra nga Spitali Baptist “Al-Ahli”, të cilin Izraeli e bombardoi më 17 tetor, duke shkaktuar vdekjen e qindra civilëve. Lidhur me sulmin që Izraeli kreu ndaj kishës historike greke ka reaguar Ministria e Jashtme e Greqisë, duke kërkuar siguri në vendet e adhurimit dhe institucioneve fetare.
"Shprehet keqardhje e thellë për jetët e humbura në sulmin e kryer në kishën “Shën Porfiri” në Gaza. Mbrojtja e civilëve, siguria e vendeve të adhurimit dhe institucioneve fetare duhet të garantohet dhe të respektohet nga të gjitha palët.", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Rreth 1,000 të krishterë jetojnë në zonën e sulmuar nga Izraeli, ndërkohë që edhe persona që u ishin shkatërruar shtëpitë ishin strehuar për mbrojtje në kishë.
“Çdo pesë minuta vritet një palestinez. Çdo 15 minuta vritet një fëmijë palestinez. Pesëdhjetë për qind e popullsisë së Gazës që janë nën sulme ajrore tani janë fëmijë. Dhe kjo vazhdon. Izraeli thotë se ata kishin të drejtë të përgjigjeshin. Në rregull, ata u përgjigjën. Ata vranë tashmë 3,500 palestinezë. Plani i Izraelit nuk është që të pastrojë etnikisht Gazën, por edhe Bregun Perëndimor nëse munden. Ata po e bëjnë këtë para syve të të gjithë komunitetit botëror. Ne nuk duam të shohim të humbasë asnjë jetë izraelitë apo palestinezë.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i Iniciativës Kombëtare Palestineze, Mustafa Barghouti.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen, tha se situata mund të përshkallëzohet në të gjithë rajonin. Edhe lideri i Hamasit paralajmëron se sulmet në Gaza mund të kthehen në një luftë rajonale.
"Ne qëndrojmë me Izraelin. Ne kemi parë rrugët arabe të mbushura me zemërim në të gjithë rajonin, kështu që, rreziku i përhapjes së një konflikti në të gjithë rajonin është i mundur. Kjo është pikërisht ajo që Hamasi shpresonte të arrinte dhe kjo mund të paraqesë fundin historik midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë.", - theksoi presidentja e KE-së, Ursula Von Der Lejen.
“Nëse këto sulme brutale, shkatërrime dhe gjakderdhje vazhdojnë kundër Gazës, kjo mund të kthehet në një luftë rajonale. ShBA-ja dhe disa vende të Evropës kanë kryer vizita në Izrael për mbështetje morale, për të siguruar që palestinezët ta pranojnë dëbimin nga tokat e tyre.”, - u shpreh kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Hanijeh.
Protestat për mbrojtjen e civilëve në Rripin e Gazës mbahen në shumë vende të botës.
“Jam shumë e pakënaqur. Shumë e mërzitur, sepse shoh fëmijë të vrarë. Ata nuk bënë asgjë të keqe. Ata nuk ishin Hamasi. Ata nuk bënë asgjë.", - theksoi demonstruesja, Farida Karameh.
Nga 7 tetori, kur nisi konflikti, janë vrarë të paktën 3,785 palestinezë dhe mbi rreth 1,400 izraelitë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
