Botë

“Pesëshja” e diplomatëve në Kosovë e Serbi, Kurti: Të ndëshkohet Serbia, jo Kosova

20.10.2023 14:22

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak....

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Gabriel Eskobar, të shtunën do të qëndrojnë në Kosovë e Serbi. Ata do të takojnë ndaras udhëheqësit e dy vendeve, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të rinisur procesin e dialogut me synim përmirësimin e marrëdhënieve, sidomos pas sulmit të 24 shtatorit kundër Policisë së Kosovës në veri. 
 
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se qëllimi i vizitës është përparimi në zbatimin e marrëveshjeve. Sipas tij, BE-ja ka “pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”. Edhe i dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin, Manuel Sarazin, ka thënë se “marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht ende funksionale, mirëpo nevojitet një ripërkushtim politik i Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e tyre”. I pyetur rreth vizitës dhe mundësisë që ata të vijnë me propozime konkrete për palët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se nuk mund të ketë normalizim pa siguri dhe siguria e Republikës së Kosovës duhet të jetë prioritet. Sa i përket dialogut, Kurti tha se kanë marrëveshje të cilën nuk po e respekton Serbia. 
 
“Sa i përket dialogut në Bruksel, ne prej atje kemi marrëveshje po që sërish për shkak të Serbisë nuk është zbatuar. Kemi edhe marrëveshjen bazike të 27 shkurtit edhe aneksin e zbatimit të 18 marsit. Ne kemi qenë përherë të përkushtuar, konstruktiv e kreativ, dhe kurrsesi nuk ka faj apo përgjegjësi në anën tonë se pse Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale. Marrëveshja bazike e 27 shkurtit e ka në qendër njohjen reciproke dhe sa më parë që zbatohet ajo, do të kemi jo vetëm normalizim demokratik dhe evropian, por edhe siguri për vendin tonë dhe rajonin.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin  Kurti.
 
Kryeministri Kurti njëherit ka theksuar se nuk është Kosova ajo e cila duhet të këtë masa ndëshkuese, por është Serbia ajo së cilës duhet t’i vendosen sanksionet, pasi sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës është dëshmi se kush po e rrezikon sigurinë e Kosovës dhe rajonit. 
 
GYLTENE SINANI