Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, Mexhiti: Të mbahen së bashku

20.10.2023 14:43

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të organizohen së bashku, kërkon kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti...

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të organizohen së bashku, kërkon kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti. Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve presidenciale njëherë, e pastaj e atyre parlamentare do të paraqiste vetëm lodhje pa nevojë për qytetarët.
 
“Këtë krizë ekonomike, këtë standard të ulët jetësor, këtë migrim alarmant të të rinjve në perëndim është më se e logjikshme që nuk duhet ta ngarkojmë shtetin dhe qytetarët t’i lodhim dy herë, por zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të jenë të përbashkëta.”, - deklaroi kryetari i LD-së, Izet Mexhiti. 
 
Mexhiti: Opozita, me lista e kandidat të përbashkët
 
Përndryshe, Mexhiti njoftoi se në zgjedhjet presidenciale, opozita shqiptare do të dalë me kandidat të përbashkët për president, ndërsa në ato parlamentare me lista të përbashkëta për deputetë. 
 
“Cili do jetë ai, do të shohim. Po bëhen analiza, a do të jetë brenda strukturave, a do të jetë ekspert i fushës, intelektual i pavarur, sepse ne opozitën nuk e kemi mbyllur. Është një front opozitar në të cilin ka vend jo vetëm për këto tre subjekte. I bëjmë ftesë edhe subjekteve tjera, organizatave qytetare, intelektualëve të pavarur, sepse mendoj që situata është e rëndë dhe kërkon një përkushtim dhe front më të gjerë.”, - theksoi kryetari i LD-së, Izet Mexhiti. 
 
Për të pasur një proces zgjedhor pa dyshime mbi parregullsi të mundshme, Mexhiti edhe një herë bëri thirrje që opozita të ketë përfaqësuesin e saj në KShZ, me vet faktin se Aleanca është pjesë e Qeverisë dhe sipas Mexhitit nuk i takon më vendi në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. 
 
ERSAN PAJAZITI