Maqedoni

Konferencë, perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor

20.10.2023 15:18

Para sfidës së fundit për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian...

Para sfidës së fundit për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian, partitë politike të unifikohen dhe të mbështesin miratimin e ndryshimeve kushtetuese, me të cilën njëherit do të dëshmojnë edhe orientimin pro-evropian, tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në Konferencën për Dialogun Ndërparlamentar për avancimin e mëtejmë të integrimeve evropiane në Ballkanin Perëndimor. Shton edhe përkushtimin e vendit për impelementimin e marrëveshjeve me fqinjët, ndërkaq fton bllokun evropian që edhe përkundër rrethanave të ndërlikuara, të dominojë përcaktimi për vazhdimin me zgjerimin.
 
“Para vetes kemi edhe një sfidë dhe kjo është ndryshimi i Kushtetutës, me qëllim që të vazhdojmë me negociatat sipas klasterëve, për të cilat presim se do të imponojnë një ritëm të përshpejtuar të reformave. Konsideroj se tani është koha  e vërtetë që të gjitha partitë politike të cilat në programet e veta zotohen për eurointegrim, të demonstrojnë përkushtimin e vet në vepër.”, - deklaroi kryetar i Kuvendit, Talat Xhaferi. 
 
Aktivizimin e politikës së zgjerimit nga BE-ja e kërkon edhe zëvendëskryeministri i dikasterit, Bojan Mariçiq.
 
“Urgjenca rreth aspiratave tona evropiane asnjëherë nuk ka qenë më e theksuar. Lufta në Ukrainë, ngjarjet në rajonin tonë dhe në Lindjen e Afërme sërish e aktualizojnë çështjen për të ardhmen e Evropës, por edhe të Ballkanit Perëndimor, që është cak i ndikimeve të jashtme dhe propagandave.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
 
Edhe deputetët konsiderojnë se gjeopolitika e re patjetërson integrim sa më të shpejt të Ballkanit Perëndimor.
 
“Rënia e mbështetjes për anëtarësim në BE në opinion, dorë për dore shkon me zmadhimin e deklaratave nacionaliste dhe ndikimin e faktorëve të jashtëm dhe fuqive te jashtme dhe e gjithë kjo është një sfidë e dyfishtë me të cilën duhet të ballafaqohemi.”, - u shpreh kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi. 
 
“BE-ja duhet vetë të përcaktojë nëse për të është prioritet strategjik zgjerimi i plotë ose është prioritet të flitet për zgjerim pafundësisht, por pa ndodhur realisht.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski. 
 
Ndërkohë, Këshilli i Evropës nxit vendet e Ballkanit Perëndimor që të përqendrohen në zgjidhjen e sfidave, gjersa sigurojnë përkrahjen e tyre në rrugëtimin tonë evropian.
 
“Asambleja jonë parlamentare beson se me ndihmën që i ofron Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, RMV-së, Serbisë dhe Kosovës, t’i realizojnë aspiratat e tyre për integrim evropian. Është çështje shumë e rëndësishme, jo vetëm për këto vende, kontinentin evropian, por edhe për të mirën e banorëve evropian.”, - theksoi kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tini Koks. 
 
Rritja e euroskepticizmit mund të ndalet vetëm me  aksion politik të BE-së dhe me  kthimin e besimit të projektit paqësor evropian, u konkludua nga folësit e konferencës në fjalë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU