Maqedoni

Skriningu bilateral për Kapitullin 33, fillon skriningu për “Resurset, bujqësia, kohezioni”

20.10.2023 16:00

Në Bruksel filloi skriningu bilateral për Kapitullin 33, “Dispozitat financiare dhe buxhetore”....

Në Bruksel filloi skriningu bilateral për Kapitullin 33, “Dispozitat financiare dhe buxhetore”, pjesë Klasterit 5 “Resurset, bujqësia dhe kohezioni”.
 
Kapitulli 33 ka të bëjë me aftësinë dhe kapacitetin tonë administrativ si shtet  për të kontribuar në buxhetin e përbashkët të BE-së, kur të bëhemi shtet anëtarë i plotfuqishëm i BE-së. Disa nga çështjet që do të trajtohen në kuadër të këtij kapitulli janë trajtuar tashmë gjatë skriningut bilateral për Kapitullin 16, Taksat dhe 29 -  Doganat, të cilat janë drejtpërdrejt të lidhura me këtë kapitull.
 
Në fjalën e saj hyrëse para ekspertëve të Komisionit Evropian, zëvendëskryenegociatorja me BE-në dhe sekretare shtetërore në sekretariatin për Çështje Evropiane, Drita Abdiu-Halili, theksoi se si një vend që ka zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për pothuajse 20 vjet, Maqedonia e Veriut ka harmonizuar vazhdimisht legjislacionin nacional në këtë fushë dhe kemi punuar në forcimin e kapaciteteve administrative dhe zhvillimin e sistemeve të IT-së, si pjesë të procesit për digjitalizimin e shërbimeve.
 
“Disa nga zhvillimet më të fundit përfshijnë miratimin e Ligjit të ri për Buxhet organik që është pjesë e reformës në financat publike. Këshilli Fiskal tashmë është themeluar nga Kuvendi në shtator të vitit 2023.”, – theksoi mes tjerash Abdiu Halili.
 
Delegacionin shtetëror për Kapitullin 33, i cili kryesohet nga Ministria e Financave, e përbëjnë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera relevante si: Drejtoria e të ardhurave publike, Administrata doganore, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Enti Shtetëror Statistikor, si dhe Sekretariati për Çështje Evropiane.
 
Takimet e ardhshme të skriningut bilateral me Komisionin Evropian për Kapitullin 13 - Peshkataria, janë paraparë të mbahen me 26 dhe 27 tetor.
 
SEDAT SELIMI