Maqedoni

Inspektorati Bujqësor për helmimin me Lanate: Ka 10 vite që ky pesticid nuk gjendet në treg

20.10.2023 16:22

Një tragjedi e madhe familjare hapi ekuacion me shumë të panjohura...

Një tragjedi e madhe familjare hapi ekuacion me shumë të panjohura, pasi një familje tre anëtarëshe: burri, gruaja dhe gjyshja u helmuan me helmin Lanate, pasi kishin ngrënë byrek me presh. Gruaja ndërroi jetë pas helmimit me pesticidin Lanate, ndërsa trupi i pajetë është dorëzuar për autopsi. Gjyshja dhe i biri i saj po luftojnë për jetë në Klinikën e Toksikologjisë. Lanate ka dhjetë vite që është ndaluar të shitet në vendin tonë. Nga Inspektorati i Bujqësisë dyshojnë se bëhet fjalë për helm të vjetër që e ka poseduar familja, sepse i njëjti është përdorur kundër minjve. Pas inspektimeve të bëra, ky helm nuk është parë në tregje e as në farmacitë bujqësore. Nuk ka as informacione se është shitur joligjërisht në tregun e zi.
 
“Inspektorët tanë nuk kanë vërejtur tregti apo importim të këtij pesticidi. Supozime çdoherë mund të ketë dhe njëra ndër to mund të jetë se ndoshta është ruajtur në ndonjë  depo shtëpiake, sepse informacione se është blerë diku nuk kemi.”, - theksoi Jane Stankovski nga Inspektorati i Bujqësisë.
 
“Anima Mundi” për helmet vdekjeprurëse: Paralajmëruam institucionet për pasojat
 
Edhe Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve “Anima Mundi” thonë se me vite të tëra keqpërdoren helmet vdekjeprurëse. Derdhen nëpër parqe, shkolla, parkingje, restaurante dhe kanë për qëllim helmimin masiv të kafshëve. Vetëm përmes nuhatjes së helmit ngordhin kafshët që peshojnë më shumë se 40 kilogram. Nga “Anima Mundi” shtojnë se tani e tërë familja është viktimë e pesticidit vdekjeprurës, Lanate. 
 
”Paralajmëruam se është çështje kohe se kur do të ketë pasoja mbi njerëz. Por institucionet asnjëherë nuk përfillën këto paralajmërime, duke mos ndërmarrë asgjë në këtë drejtim. Kishte vetëm premtime deklarative para opinionit, por më së shpeshti kemi hasur në heshtje dhe injorim.”, thonë nga Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve “Anima Mundi”.
 
Hetimet duhet të sqarojnë se si helmi Lanate përfundoi në byrekun me presh. Policia filloi hetimin në koordinim me Prokurorinë Publike. Rasti në MPB u paraqit para dy ditësh, ndërsa familja u helmua më 15 tetor. 
 
FLUTURA LATIFI