U mbajt edicioni i XXIII-të i “Takimeve poetike të Karadakut”
Me orën e madhe letrare, kurse me pjesëmarrjen e mbi 30 poetëve nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës, në Kumanovë filloi edicioni i XXIII i “Takimeve poetike të Karadakut”...

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve të Kumanovës “Jehona e Karadakut”, Sevdail Demiri, tha se 11 Marsi është një simbolikë e fuqishme për historinë e shqiptarëve të këtyre trojeve.
Pas orës letrare, juria në përbërje të: Bejtush Memetit, Nexhat Rexhës dhe Mumin Zeqirit ndau çmimet “Fadil Bekteshi”. Si poezi më të suksesshme u vlerësuan: për vendin e parë poezia “11 Marsi ‘81” e autorit nga Gjilani, Sabit Rrustemi, për vendin e dytë poezia “Pa adresë” e autores nga Tetova, Zejnepe Alili-Rexhepi, ndërsa për vendin e tretë u ndanë dy çmime, edhe atë për poezinë “Drita e kujtesës” e autorit nga Kumanova, Burhanedin Xhemaili, dhe për poezinë “Kartë pa adresë” e poetes nga Pogradeci, Rozea Kreste.
Në ditën e dytë të takimeve poetike u organizua një tribunë letrare me temë “Letërsia shqipe në epokën e internetit mes vlerës, kiçit dhe popullaritetit”, ku morën pjesë aktive shumë poetë, shkrimtarë e dashamirë të artit e kulturës shqiptare. (Nexhat Aqifi, TVM2)
