Maqedoni

Vjetërsimi i lëndëve gjyqësore, Arifi: Fajtorë janë gjykatat, por edhe Kodi Penal

20.10.2023 16:44

Lëndët gjyqësore vazhdimisht janë kërcënuar nga vjetërsimi i tyre, si pasojë e kondicionit të dobët të punës së gjykatave...

Lëndët gjyqësore vazhdimisht janë kërcënuar nga vjetërsimi i tyre, si pasojë e kondicionit të dobët të punës së gjykatave. Sidomos pala mbrojtëse gjithmonë ka punuar që të vijë te kalimi i afatit juridik të tyre, vlerëson profesoresha e së Drejtës Penale, Besa Arifi. Analiza e saj profesionale thotë se edhe ndryshimet në Kodin Penal kanë qenë faktor i përshpejtimit të skadencës së lëndëve. Arifi si segment të rëndësishëm përmend edhe trajtimin në formë të privilegjuar të të akuzuarve.
 
“Në aspektin juridiko–penal, rregulla është që gjithmonë merret parasysh ligji që është më i butë për personin e akuzuar në një vepër penale. Ky është privilegj që ashtu njihet si i tillë, në lëndën penale dhe ky ka ardhur në shprehje edhe në këtë drejtim. Duke qenë se u bënë ndryshimet e Kodit Penal dhe u zvogëluan afatet e parashkrimit të lëndëve penale, kjo sigurisht që ishte në favor të personave që ishin të akuzuar në këto lëndë dhe në këtë mënyrë edhe kjo gjë kontribuoi që lëndët të vjetrohen. D.m.th. unë mendoj që në të dy rastet kemi kombinim të faktorëve që kanë ndikuar, edhe vonesa nëpër gjykata, por nuk mund të anashkalohet edhe ndikimi që patën ndryshimet e Kodit Penal.”, - deklaroi profesoresha e së Drejtës Penale, Besa Arifi. 
 
Arifi: Kalimi i afatit juridik kërcënon lëndë të tjera
 
Lënda më me zë që u shua ishte lënda e ish-Prokurorisë Speciale “Target-Fortesa” për përgjimet masive të jashtëligjshme të më shumë se 20 mijë qytetarëve, duke falur aktorin kryesor të lëndës, Sasho Mijallkov. Kjo ishte top lënda e Prokurorisë Speciale e formuar 8 vite më parë dhe sipas Arifit, edhe lëndë të tjera rrezikohen nga vjetërsimi, nëse nuk veprohet në kohë.
 
“Ekziston rreziku i vjetërsimit edhe i lëndëve të tjera, prandaj gjykatat duhet të jenë shumë efektive në këtë drejtim dhe të punojnë duke mos i shtyrë seancat, e duke bërë atë që duhet të bëjnë punën e tyre, e që këto lëndë të përmbyllen sa më shpejtë. Por, ashtu edhe si tek lëndët tjera, d.m.th. unë mendoj që në përgjithësi qasja e përgjithshme tek lëndët e Prokurorisë Speciale ishte gjithmonë që t’i lihet mundësia afateve të parashkrimit që të veprojnë, për shkak se realisht duket që shpesh herë nuk ka pasur sa duhet vullnet që me të vërtetë të vendoset përgjegjësi penale për këto lëndë.”, - theksoi profesoresha e së Drejtës Penale, Besa Arifi. 
 
Kreu i Gjykatës Penale, Ivan Xholev, duke amnistuar nga përgjegjësia gjykatat, për vjetërsimin e lëndëve, fajin e ka përqendruar tek ndryshimet në Kodin Penal me shkurtimin e afateve kohore të gjykimit. Ndërkohë presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, vlerëson se vjetërsimi, po bëhet me qëllim që lëndët të mos kenë finale juridike.
 
MERAL ISMAILI