PE: Hetim ndërkombëtar për vrasjen e Nemtsovit

13.03.2015 13:02

Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar hetime të pavarura ndërkombëtare për vrasjen e politikanit opozitar rus, Boris Nemtsov...

Në rezolutën me tone të ashpra kritike të miratuar mbrëmë, ligjvënësit evropianë kanë vlerësuar se vrasja e Nemtsovit ishte “vrasja më indikative politike në historinë aktuale të Rusisë” dhe kanë tërhequr vërejtjen se propaganda e Kremlinit po e shndërron Rusinë në “shtet të represionit, shprehjes së urrejtjes dhe frikës”.

Kjo rezolutë u miratua derisa anëtari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut i Kremlinit, Andrei Babushkin, është marrë në pyetje nga hetuesit rusë pasi e kishte vizituar personin, Zaur Dadayev, dhe dy të akuzuarit e tjerë për vrasjen e Boris Nemtsovit në burgun Lefortovo në Moskë. Babushkin, pas vizitës së tij më 11 mars, tha se kishte shenja se Dadayev ishte torturuar për ta pranuar fajësinë.