Vazhdojnë bombardimet izraelite në Gaza, 352 palestinez të vrarë në 24 orët e fundit
Vazhdojnë sulmet ajrore izraelite....

Vazhdojnë sulmet ajrore izraelite mbi rripin e Gazës. Gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë të paktën 352 palestinezë njoftojnë autoritetet palestineze.
Thirrje për të ndaluar bombardimet kanë ardhur nga të gjitha vendet me shumicë muslimane.
Në Kajro ka filluar Samiti i Paqes me pjesmarrje ndërkombëtare, arabe dhe të OKB-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës. Samiti, i mbajtur në Kryeqytetin e Ri Administrativ, në lindje të kryeqytetit egjiptian Kajro, është kryesuar nga presidenti egjiptian Abdel Fattah El-Sisi.
“Ju ftova të diskutojmë dhe të punojmë së bashku drejt arritjes së një konsensusi specifik mbi një udhërrëfyes, i cili synon t’i japë fund tragjedisë aktuale humanitare dhe të ringjallë rrugën e paqes përmes disa sferave. Kjo fillon me sigurimin e një fluksi të plotë, të sigurt, të papenguar dhe të qëndrueshëm të ndihmës humanitare për popullin e Gazës, ndjekur menjëherë nga negociatat për arritjen e qetësisë dhe armëpushimit. Më pas do të fillojnë menjëherë bisedimet për ringjalljen e procesit të paqes për të vënë në fuqi zgjidhjen me dy shtete dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez, që do të jetojë krah për krah me Izraelin, në bazë të rezolutave të legjitimitetit ndërkombëtar”. – tha Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi.
Presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas, tha se nuk do të largohen nga toka e tyre pavarsisht sfidave me të cilat përballen.
“Izraeli shënjestron në mënyrë joselektive mijëra civilë, spitale, shkolla dhe qendra strehimi në Rripin e Gazës .Ne nuk do të pranojmë zhvendosjen. Ne do të qëndrojmë në trojet tona pavarësisht sfidave. Paqja dhe siguria do të arrihen nëpërmjet një zgjidhjeje me dy shtete me Kudsin si kryeqytet i shtetit palestinez, dhe një zgjidhjeje të drejtë për çështjen e refugjatëve në bazë të rezolutave përkatëse ndërkombëtare. Qeveria izraelite “nuk i dëgjoi thirrjet për një armëpushim”. – u shpreh Presidenti i Palestonës, Mahmud Abbas.
Mbahet Samiti i Paqes në Kajro, futen ndihmat e para në Gaza përmes portës kufitare Rafa
Të paktën 31 vende dhe tri organizata ndërkombëtare kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Samitin e Paqes në Kajro. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres po merr pjesë gjithashtu në samit.
Ndërkohë për hërë të parë kanë filluar të hynë ndihmat e para në Gaza përmes kalimit kufitar Rafah, njoftuan nga Gjysëmhëna e Kuqe.
Nënsekretar i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare, përshëndeti hyrjen e kolonës së parë të ndihmave humanitare dhe tha, se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet t’i zhgënjejn civilët në Gaza.
“Dy javë që nga fillimi i armiqësive, situata humanitare në Gaza - tashmë e pasigurt - ka arritur nivele katastrofike. Është thelbësore që ndihma të arrijë tek njerëzit në nevojë kudo që janë në gjithë Gazën, dhe në shkallën e duhur. Populli i Gazës ka duruar vuajtje me dekada. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të vazhdojë t’i zhgënjejë ata” – deklaroi Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet humanitare, Martin Grifftihs.
