Kajro, Samit në kërkim të paqes izraelito-palestineze

21.10.2023 17:06

Në Kajro ka filluar Samiti i Paqes....

Në Kajro ka filluar Samiti i Paqes me pjesëmarrje ndërkombëtare, arabe dhe të OKB-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës. Samiti, i mbajtur në Kryeqytetin e Ri Administrativ, në lindje të kryeqytetit egjiptian, Kajro, është kryesuar nga presidenti egjiptian, Abdel Fattah El-Sisi.

“Ju ftova  të diskutojmë dhe të punojmë së bashku drejt arritjes së një konsensusi specifik mbi një udhërrëfyes, i cili synon t’i japë fund tragjedisë aktuale humanitare dhe të ringjallë rrugën e paqes përmes disa sferave. Kjo fillon me sigurimin e një fluksi të plotë, të sigurtë, të papenguar dhe të qëndrueshëm të ndihmës humanitare për popullin e Gazës, ndjekur menjëherë nga negociatat për arritjen e qetësisë dhe armëpushimit. Më pas do të fillojnë menjëherë bisedimet për ringjalljen e procesit të paqes për të vënë në fuqi zgjidhjen me dy shtete dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez, që do të jetojë krah për krah me Izraelin, në bazë të rezolutave të legjitimitetit ndërkombëtar”. – tha Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi.

Presidenti  i Palestinës Mahmud Abbas tha se nuk do të largohen nga toka e tyre pavarësisht sfidave me të cilat përballen.

“Unë i bëj thirrje Këshillit të Sigurimit të marrë përgjegjësitë e tij për të mbrojtur popullin palestinez, që shteti i Palestinës të fitojë anëtarësimin e plotë, që pjesa tjetër e botës të njohë shtetin e Palestinës dhe të thërrasë një konferencë ndërkombëtare paqeje nën sponsorizimin ndërkombëtar për të arritur qëllimin e dëshiruar të paqes. Ne  nuk do të largohemi, nuk do të largohemi dhe do të qëndrojmë në tokën tonë, pavarsisht sfidave” – u shpreh Presidenti palestinez, Mahmud Abbas.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, tha se ka ardhur koha për veprim, që t’i jepet fund këtij makthi dhe dënoi sulmet e Hamasit mbi Izraelin.

“Konflikti i gjatë me vite dhe i pandërprerë nuk mund të justifikojë sulmin e dënueshëm nga ‘Hamasi’ që terrorrizoi civilët izraelitë. Këto sulme tmerri, gjithashtu nuk mund të justifikojnë kurrë as dënimin kolektiv të popullit palestinez. E drejta humanitare institucionale, duke përfshirë Konventat e Gjenevës, duhet të respektohen dhe kjo përfshin mbrojtjen e civilëve dhe mos sulmimin e spitaleve, shkollave dhe objekteve të OKB-së, që aktualisht strehojnë një milion njerëz. Ka ardhur koha për veprim, veprim për t'i dhënë fund këtij makthi të tmerrshëm dhe aksion për të ndërtuar një të ardhme të denjë për ëndrrat e fëmijëve të Palestinës, Izraelit, rajonit dhe botës sonë.” – deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Pas dy javësh konflikt mes Izraelit dhe Palestinës ka filluar të hyjë  kolona e parë e kamionëve me ndihma humanitare në Rripin e Gazës  së izoluar, ndihmat futen nga ana egjiptiane  në pikëkalimin kufitarn Rafah, njofton Gjysmëhëna e Kuqe.

Ndërkohë vazhdojnë sulmet ajrore izraelite mbi rripin e Gazës. Gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë të paktën 352 palestinezë, njoftojnë autoritetet në Gaza.

Të paktën 4.137 palestinezë, duke përfshirë 1.524 fëmijë dhe 1.000 gra, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza. Ndërsa numri i izraelitëve të vrarë është mbi 1400. Autoritete libaneze kanë kërkuar nga Izraeli të shpallë një armëpushim 48-orësh. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)