Rinovimi i shkollave në Çair, 1.5 milion denarë investime në Sh.F. “Liria”
Me qëllim të krijimit të kushteve bashkëkohore për zhvillim të procesit mësimor, Komuna e Çairit në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë ka dhënë kontribut maksimal për rikonstruimin e Shkollës Fillore “Liria”...

Investimi arrin vlerën prej 1.5 milion denarë dhe Komuna e Çairit bën të ditur se investime të tilla do të vazhdojnë në të gjitha shkollat e kësaj komune.
“Tanimë po punohet që mbi 1500 metra oborr të rregullohen tërësisht, investim në vlerë prej 1.5 milion denarë, po ashtu këtë vit jubilar kemi aktivitete për rregullimin e stadiumit me barë artificial për mundësitë e kësaj shkolle, si dhe renovimin e parkingut për qytetarët dhe sallën”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Edhe Ministria e Ekonomisë premton se do të vazhdojnë investimet për të rritur efikasitetin energjetik në të gjitha shkollat në Komunën e Çairit.
“Ministria e Ekonomisë në lëminë e efikasitetit energjetik ka siguruar mjete financiare nga fonde dhe Banka Evropiane dhe do të vazhdojmë edhe në kontinuitet investimet që ka filluar ministria”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Sipas drejtorisë së shkollës, rinovimet kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së procesit mësimor.
“Infrastruktura e re do të ndikojë edhe në cilësinë e arsimit në shkollë, ku procesi edukativo-arsimor do të zhvillohet në nivel më të lartë”- theksoi drejtori i Shkollës Fillore “Liria”, Talat Sadiku.
Këtë vit, me investimet e dedikuara për këtë shkollë, përfundojnë projektet për modernizimin e shkollës që dha kontribut të çmuar në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja. (Flutura Latifi, TVM2)
