SHBA, kërkohen të dyshuarit për sulm ndaj policëve

13.03.2015 13:16

Autoritetet në Ferguson të Shteteve të Bashkuara po ndërmarrin operacion të gjerë kërkimi për të dyshuarit që i kanë qëlluar dhe plagosur dy policë dje herët në mëngjes, gjatë një proteste afër selisë së policisë së qytetit...

Disa persona janë marrë në paraburgim për pyetje pas të shtënave, por ata më vonë janë liruar pa u akuzuar. Aktivistët në protestë e kanë dënuar sulmin me të shtëna, duke thënë se ai apo ata që kanë shtënë ishin larg nga demonstruesit.

Protesta ishte shkaktuar pas dorëheqjes së shefit të Policisë së Fergusonit dhe raportit të ashpër të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, në të cilin akuzohen gjykatat dhe policia në lagjet e Sent Luisit për anim racor. Ky hetim federal ishte bërë pas protestave të gjëra gjithëkombëtare për shkak të vrasjes së personit të ri zezak e të paarmatosur, Micheal Brown, në gusht të vitit të kaluar nga një polic i bardhë në Ferguson.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Eric Holder, tha se të shtënat ndaj dy policëve janë “të pafalshme dhe neveritëse”.

Presidenti amerikan, Barack Obama, po ashtu e ka dënuar sulmin kundër policëve, të cilët ishin trajtuar në spital dhe pastaj janë liruar. Obama tha se “rruga e drejtësisë është ajo në të cilën të gjithë ne duhet të udhëtojmë së bashku”.