Botë

Kurti: Sulmin në veri e ka organizuar klani i Novi Sadit

23.10.2023 13:44

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thot se sulmin terrorist në Banjskë e ka organizuar Klani i Novi Sadit...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thot se sulmin terrorist në Banjskë e ka organizuar Klani i Novi Sadit, një grup i organizuar kriminal me lidhje të forta me pushtetin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Kurti me anë të një postimi në facebook ka thënë se duhet hetuar se a ishte rastësi që më 24 shtator në Manastirin e Banjskës  ndodheshin edhe 40 pelegrinë ortodoks nga Novi Sadi. 
 
“Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq. Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë”.  
 
Kurti: Grupi që kreu sulmin po qëndron në Rashkë
 
Kurti njëherit thekson se grupi terrorist që kreu sulmin në veri të Kosovës po qëndron në Rashkë. 
 
“Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe NS. Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”.
 
Kurti: Gjykatë speciale për klanin e Novi Sadit 
 
Kurti ka ftuar BE-në dhe SHBA që ta formimin një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit.
 
“A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”.
 
Pas asaj që ka ndodhur më 24 shtator në veri të Kosvës, krerët e shtetëror kërkuan nga BE-ja ndëshkimin e Serbisë dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI