Maqedoni
Pensionistët tetovarë protestojnë, kërkojnë rritje lineare prej 5 mijë denarësh
24.10.2023 13:49
Vazhdon protesta e pensionistëve në Tetovë duke bllokuar hyrje daljen e Tetovës tek ish-Monopoli...

Vazhdon protesta e pensionistëve në Tetovë duke bllokuar hyrje daljen e Tetovës tek ish-Monopoli. Ata thonë se nuk do të zmbrapsen prapa deri sa pensionet e tyre të rriten. Ndërsa akuzojnë edhe kryetarin e pensionistëve në Maqedoninë e Veriut se është shitur tek pushteti. Thonë se do t’i bojkotojnë edhe zgjedhjet.
“Pensioni im është afër 15 mijë denarë. Me këtë pension mund të blejmë barna dhe të pimë çaj dhe asgjë tjetër. Kryetari i pensionistëve që e kemi në Maqedoni nuk funksionon, atë e kanë blerë. Sindikata nuk punon dhe nëse kështu vazhdon do vijmë në punën ekstreme, do t’i bojkotojmë edhe zgjedhjet, jemi 350 mijë pensionistë. Jo, nuk dalin 15 mijë denarë kurrë. Ato mund t’i rrisin 78% pagat e veta e për ne nuk vlen dhe ne kërkojmë rritje lineare.”, - theksoi një pensionist.
“Do të vazhdojmë me protesta deri në realizimin e tyre. Protestat do të varen nga Qeveria. Nëse ato sjellin vendim dhe i plotësojnë kërkesat tona, ne i ndalin protestat. Kjo është hera e parë që pensionistët ngrihen në protesta dhe Qeveria duhet të merret me ne.”, - u shpreh një pensionist tjetër.
Pensionistët protestojnë nga shtatori, ndërsa paralajmëruan se protestat e tyre do të vazhdojnë edhe para Qeverisë dhe institucioneve tjera. Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 330,000 pensionistë, shumica prej tyre mbi 97,000 kanë pensione deri në 13,000 denarë.
VISAR SADIKI
