Botë

Kurti fton shtetet demokratike: Të bashkohemi kundër autokracive, si Serbia e Rusia

24.10.2023 14:38

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar koalicion të shteteve demokratike kundër autokracive...

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar koalicion të shteteve demokratike kundër autokracive, siç janë Serbia e Rusia. Ai një qëndrim të tillë e paraqiti në panel diskutimin e organizuar nga “The Economist” në Greqi, me temë "Thellimi i Solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?" Momenti aktual kërkon mbështetje të palëkundur për demokracinë dhe mbrojtësit e saj, tha Kurti, duke shtuar se Kosova punon për të ndërtuar veten, duke u përpjekur për sukses të vërtetë demokratik, ndërsa Serbia si një vend joliberal përpiqet ta mbysë këtë progres, duke përdorur taktika të përdorura shpesh nga figura, si Putini. 
 
“Më 24 shtator, një muaj më parë agresioni ndaj Kosovës kulmoi me trupat e armatosur paraushtarake që ishin trajnuar në bazat zyrtare ushtarake në Serbi, të cilët hyrën në Kosovë dhe hapën zjarr ndaj forcave të policisë, duke vrarë një nga policët e Kosovës. Në të njëjtën kohë, Serbia u angazhua në atë që ShBA-ja e përshkruan si një ngritje ushtarake "të paprecedentë" përgjatë kufirit tonë. Në ditët që pasuan, një sasi e konsiderueshme provash tregonin përfshirjen dhe planifikimin e një pushtimi më të madh nga vetë shteti serb. Ky fakt ishte i vetëkuptueshëm, pasi asnjë grup civilësh nuk mund të grumbullonte një armatim të tillë dhe ta transportonte atë përtej kufijve pa të paktën mbështetjen e heshtur të një qeverie.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Kurti ka thënë se është i gatshëm t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut në Bruksel, por sipas tij është Serbia, e cila heziton ta bëjë një gjë të tillë, pasi përmbajtja e marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër “është njohje de fakto”. Edhe presidentja Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kërkoi miratimin e një rezolutë me të cilën do të ndëshkohej Serbia për sulmin terrorist të para një muaji në Banjskë të veriut të Kosovës.
 
GYLTENE SINANI