Kulturë

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Tetovë, Teatri i Gjakovës me një komedi hapi festivalin

24.10.2023 14:55

“Allo Allo” ishte shfaqja komedi nga Teatri i Gjakovës “Hadi Shehu”, që hapi mbrëmë premierën e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës...

“Allo Allo” ishte shfaqja komedi nga Teatri i Gjakovës “Hadi Shehu”, që hapi mbrëmë premierën e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës. Drejtori i Teatrit të Tetovës, Bekim Smaili, tha se ky festival më nuk do ketë ndërprerje dhe do të vazhdojë të sjellë shfaqjet më të mira të rajonit dhe vendit.
 
“Në Teatrin e Tetovës do të kemi pesë ditë shfaqje. Tetovarët do kenë mundësi dhe publiku më gjerë që brenda javës të vijnë t’i shohin shfaqjet tjera. Kjo sot që e pamë ishte komedi e trupës profesioniste të Teatrit të Gjakovës. Festivali do të vazhdojë edhe vitet tjera. Pauza ka qenë pauzë globale, shkaku i pandemisë.”, - deklaroi drejtori i Teatrit të Tetovës, Bekim Smaili. 
 
Drejtuesja e Teatrit të Gjakovës, Albulena Kryeziu Bokshi, tha se ka një dashuri të madhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
 
“Për ne ishte nder të bëjmë hapjen e festivalit, në fakt rihapjen e këtij festivali. Unë kam një dashuri të madhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, pa qenë  drejtuese, si aktore kam punuar shume në Shkup, Kumanovë dhe në Tetovë dhe ndjehem si në shtëpinë time. Ky është viti i parë që kam marrë teatrin nën udhëheqje dhe ky ishte bashkëpunimi i parë dhe patjetër se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe vitet tjera.”, - theksoi drejtorja e Teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu”, Albulena Kryeziu Bokshi.
 
Publiku tetovar është i jashtëzakonshëm, tha aktori, Bujar Ameti, nga Teatri i Gjakovës.
 
“Shumë mirë kemi kaluar. Për mua është hera e tretë që po vij në Tetovë, është publik i jashtëzakonshëm.”, - u shpreh aktori i Teatrit të Gjakovës, Bujar Ameti. 
 
Sonte do të jetë shfaqja “Fluturim mbi teatrin shqiptar” nga Teatri Shqiptar i Kumanovës. 
 
VISAR SADIKI