Botë

Lufta izraelito-palestineze, sulmet në Gaza vazhdojnë

24.10.2023 15:27

Vazhdon ofensiva e granatimeve izraelite në zona të ndryshme të Rripit të Gazës...

Vazhdon ofensiva e granatimeve izraelite në zona të ndryshme të Rripit të Gazës, që rezultoi me mbi 110 të vrarë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë. Sulme ajrore ka pasur edhe mbi kampin Xhaballija në pjesën veriore të Gazës. Ushtria izraelite shkatërroi mbi 400 objektiva gjatë 24 orëve të fundit. Spitalet po ballafaqohen me mungesë të medikamenteve mjekësore dhe e kanë pothuajse të pamundur t’u japin ndihmë personave të plagosur.
 
“Ata ishin në lokacion ku menduan se janë të sigurt. E kishim shumë të vështirë t’i njohim trupat. U munduam t’i gjejmë në bazë të veshjeve, kush çfarë pantallona apo bluza kanë pasur të veshura.”, - theksoi familjari i viktimave, Osama All Bashiti.
 
Nga fillimi i luftimeve, numri i viktimave në Gaza ka kaluar 5,000 prej të cilëve 2,000 janë fëmijë. Ndërkohë, kanë arritur ndihma të reja humanitare. Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se në mënyrë urgjente janë të nevojshme uji, ushqim dhe karburante. Të gjitha palët në luftë duhet të respektojnë ligjet e luftës dhe Ligjin për të drejtat e njeriut. Me ndërmjetësim të Egjiptit dhe Katarit nga Hamasi janë liruar edhe dy pengje. Presidenti amerikan, Xho Bajden, thekson se fillimisht duhet të lirohen të gjithë pengjet, që të mund të ketë bisedime për ndërprerje të luftimeve. Për pushtimin e pritshëm tokësor në Gaza nga ShBA-ja theksojnë se Tel Aviv vet vendos për hapat e ardhshëm. Në Izrael me mbështetje ka arritur edhe presidenti francez, Emanuel Makron.
 
“Prioritet i yni, por edhe i demokracisë është t’i fitoni këto grupe terroriste. Lufta duhet të jetë e pamëshirshme, por jo pa rregulla, sepse ne jemi demokraci që lufton kundër terroristëve. Demokraci, e cila i respekton ligjet e luftës dhe siguron qasje humanitare.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
 
Presidenti izraelit ka dhënë porosinë që Hezbollahu të qëndrojë larg luftës në Lindjen e mesme. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu deklaroi se Izraeli me “dorë të hekurt” do të eliminojë Hamasin, ndërsa për viktimat fajëson Hamasin.
 
“Bëjmë gjithçka që është e mundur që ta shkatërrojmë Hamasin në Gaza. I lusim banorët e Gazës të largohen në pjesën e sigurt në jug, ku do t’u mundësojmë ndihmë humanitare. Hamasi është përgjegjës për viktimat civil, por ne do të bëjmë tentime maksimale që t’i shmangim dhe ta mbarojmë këtë luftë sa është e mundur më shpejtë, por kjo mund të jetë një luftë e gjatë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Ndërkohë, Irani ka akuzuar ShBA-në për zgjerimin e luftës në Gaza dhe se presidenti amerikan Bajden ka dërguar mijëra dërgesa të armëve në Izrael. Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, vlerësoi se lëvizjet e njëanshme për zgjidhjen e konfliktit në lindjen e mesme, vetëm se mund ta përkeqësojnë situatën dhe se ShBA-ja nuk ka parashtruar ide të reja se si të zgjidhet kriza. 
 
FLORIJE KAMBERI