Maqedoni

Zgjedhjet, Osmani adreson ofertë fer Mickoskit, Mickoski takim me Orbanin

24.10.2023 15:44

Ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, adreson ofertë politike VMRO – DPMNE-së opozitare...

Ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, adreson ofertë politike VMRO – DPMNE-së opozitare, sa i takon zgjedhjeve. Osmani ofron që VMRO-ja të vendosi për datën e zgjedhjeve, në rast se voton ndryshimet kushtetuese. Osmani thotë se bëhet fjalë për ofertë fer, dhe në rast të refuzimit nga partia e Mickoskit, BDI-ja do të përkrahë zgjedhje në termin të rregullt.
 
“Nëse i votojnë ndryshimet kushtetuese, do t’ua lëmë që ata të vendosin se kur do të jenë zgjedhjet, atëherë kur duan, sot, nesër, pasnesër, menjëherë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese. Mendoj se kjo është ofertë fer nga ana jonë. Nëse nuk votojnë ndryshimet kushtetuese shkojmë me zgjedhje të rregullta, a do të mbahen së bashku apo do të jenë të ndara, kjo është vetëm logjistikë dhe përllogaritje të partive politike.”, - deklaroi ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani. 
 
Oferta e Osmanit vijon pasi kryetari i VMRO – DPMNE-së, Hristian Mickoski, propozoi që presidencialet dhe parlamentaret të mbahen bashkërisht midis dy festave fetare në pranverë. Madje Mickoski për planifikimin e zgjedhjeve gjatë ditës ka biseduar me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili strehoi Nikolla Gruevskin. Në takimin e realizuar në Budapest përpos programit zgjedhor është folur për projekte pas zgjedhore me rrëzimin e pushtetit aktual. Ndërkohë nga LSDM-ja kanë paralajmëruar shumë shpejt formimin e grupeve të punës në Kuvend për dakordimin e datës, iniciativë kjo që është përkrahur nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi. 
 
Sipas afateve ligjore, zgjedhjet parlamentare do të mund të mbahen më 5 maj, ndërkaq presidencialet më 14 mars. Në rast të bashkimit të dy cikleve, atëherë votimi do të duhej të realizohet nga 5 deri në 8 maj.
 
MERAL ISMAILI