Ekonomi
Oda ekonomike dhe shoqatat financiare apelojnë për më shumë edukim financiar
24.10.2023 15:59
Oda ekonomike dhe shoqatat financiare apelojnë për më shumë edukim financiar....

Oda ekonomike dhe shoqatat financiare apelojnë për më shumë edukim financiar. Fenomen i kohës së fundit është keqpërdorimi i të dhënave personale nga familjarë apo persona të afërt për të tërhequr para nga shoqëritë private financiare jobankare, të njohura në opinion si “shitore për para”. Nga shoqatat financiare thonë se numri i këtyre keqpërdorimeve është në ulje, por që qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se të dhënat personale dhe llogaritë bankare duhet t’i kenë më private dhe mos t’i ofrojnë të tjerëve shërbime nëpërmjet llogarive personale.
“Nëse humbet letërnjoftimi duhet ta paraqitni, mos t’i jepni llogarit bankare personave të tjerë, e sidomos të mos jepet kodi i llogarisë bankare. Deri më tani statistikat tregojnë se këto keqpërdorime më shumë vijnë nga persona të afërt në familje.”, - theksoi Nikolla Joshevski nga Grupacioni i shoqatave financiare.
Momentalisht shoqëritë financiare janë sektori më dinamik që me aktivitetet e tyre mundësojnë qasje të personave fizik dhe juridik që nuk kanë të drejtën e kredisë në institucione bankare. 10 deri 15 për qind e mjeteve nga kredi të shpejta, qytetarët i marrin për shërbime mjekësore.
“Së bashku me Ministrinë e Financave po punojmë për një rregullore të këtyre shoqërive financiare. Vlerësojmë se me sjelljen e kësaj rregulloreje dhe me ndryshimet ligjore, qytetarët dhe të punësuarit në këto shoqëri do të jenë më të informuar dhe nuk do të ketë keqpërdorime, por do të ketë ndikim dhe tek qytetarët.”, - u shpreh Antoaneta Manova-Stavrevska nga OEM-i.
Momentalisht këto shoqëri financiare marrin pjesë me rreth 2 për qind në sistemin e përgjithshëm financiar të vendit, kanë të angazhuar 1,300 persona dhe paguajnë tatim vjetor rreth 10 milion euro.
GAZMEND REXHEPI
