Kriza politike, analistët: Qeveria kalimtare, e domosdoshme

13.03.2015 15:56

Maqedonia nuk ka rrugëdalje tjetër nga ngërçi politik përveç formimit të një qeverie kalimtare të përbërë nga ekspertët, vlerësojnë analistët, Mersel Bilalli dhe Ismet Ramadani...

Sipas tyre, sjellja e fundit e kryeministrit Gruevski dhe organizimi i një mitingu partiak si kundërpërgjigje për “bombat” e opozitës, tregon se kryeministrit nuk i kanë mbetur shumë alternativa dhe se tashmë janë pjekur kushtet për krijimin e një qeverie kalimtare që do t’i zgjidhte  të gjitha çështjet e hapura pa amnistuar asnjë person që ka shkelur ligjet. Ata vlerësojnë se qeveria teknike do të formohet më së shumti për një muaj.

“Qytetarët nuk mund të ngelin peng të strukturave të  papërgjegjshme të cilat edhe në të kaluarën, të afërmen dhe të largëtën i kemi parë dhe definitivisht qytetarët duhet të organizohen dhe të kërkojnë alternativa dhe rrugëdalje bashkë me struktura tjera politike, intelektuale, shoqatave të ndryshme dhe bashkëpunim i faktorit politik që të gjendet zgjidhje pragmatike, por pa amnistuar të gjitha ata që kanë bërë shkelje drastike të ligjit”- deklaroi profesori universitar, Mersel Bilalli.

“Jo që nuk ka legjitimitet, por nuk ka as kredibilitet që të udhëheqë qeveri të rikonponuar siç mendon ai. Prandaj, këtu duhet të shkohet definitivisht të formohet kjo qeveri kalimtare me ekspertë të cilët kanë individualitet, integritet personal dhe të cilët mund të formojnë kabinet pa hipoteka, që të përgatisin zgjedhjet e parakohshme, të lënë hapësirë dhe mundësi në një gjyqësi dhe prokurori të pavarur”- tha analisti, Ismet Ramadani.

Edhe anëtari më i vjetër i  VMRO-DPMNE-së  dhe  nismëtari i Forumit të Patrioteve Mendjelirë, Jove Kekenovski, vlerëson se VMRO-DPMNE është në rrugë të gabuar dhe ka dalë nga politikat e saj primare.

“Qëllimi ynë është të shpëtojmë VMRO-DPMNE-në nga kolapsi politik në zgjedhjet e ardhshme  parlamentare, sepse mendojmë se kjo që i ndodhë partisë është humbje për të gjithë ne. Të gjithë ata të cilët kanë qenë në udhëheqje të partisë duhet të largohen dhe të vijë frymë e  re, e cila do të jetë pa hipotekë dhe e cila do të kontribuojë në konsolidimin e partisë dhe do ta fitojë LSDM-në në zgjedhje”- theksoi Jove Kekenovski nga Forum i Patriotëve Mendjelirë.

Partia Liberale, ndërkohë, vlerëson se parlamenti duhet të aftësohet për dialog politik.

”Po të mendonim si politikanë me përgjegjësi, do të kishim mundur të vendosim dialog politik. Duhet të formohet një qeveri kalimtare, nuk po jap afat kohor, por bëhet fjalë për javë ose muaj. Bllokada e tërë sistemit do të rrezikonte të gjitha sferat e  shoqërisë. Shteti është instrument i cili servison shoqërinë”- u shpreh Ivon Veliçkovski nga Partia Liberale.

Sipas analistëve, në rast se nuk formohet qeveri kalimtare, vendi rrezikon të  përballet me konflikt më serioz partiak, i cili mund të dalë  më pas jashtë sferave të politikës e të përfshijë të gjithë shoqërinë.(Rexhep Qamili, TVM2)