KRGJ, zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarin
Branko Ushkovski, sot është zgjedhur kryetar i ri i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, ndërsa zëvendës i tij Selim Ademi nga Gostivari...

Ushkovski, u zgjodh në zgjedhje të fshehta prej 14 anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, në propozim të anëtarit, Vllatko Samarxhiski. Në pyetje të gazetarëve nëse zgjedhja e gjykatësve apo kryesisë së këshillit është bërë me marrëveshje politike, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, dhe kryetari dhe nënkryetari i sapozgjedhur i Këshillit Gjyqësor mohuan një gjë të tillë.
“Ligji për Këshillin Gjyqësor kërkon që të gjithë anëtarët të mos jenë anëtarë të ndonjë partie politike, që nga ky këndvështrim do të thotë se nuk ka përse të bëhet marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit, respektivisht nënkryetarit të Këshillit Gjyqësor”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
“Në asnjë rast nuk ekzistojnë marrëveshje politike për zgjedhje të gjykatësve. Gjykatësit gjithmonë janë zgjedhur sipas kritereve dhe kushteve të parapara me ligj”- tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Branko Ushkovski.
“Çdokush ka qenë i pavarur të votojë ose jo për kandidatin, mendoj se procedura ishte e rregullt, siç e patë edhe ju, transparente. Si këshill do të duhet më tepër të kemi punë në terren, vizita dhe kontrolle të gjykatave, pasi që me kontrolle të tilla dhe jo nëpër zyra, do të kemi efikasitet më të madh në gjyqësor”- theksoi nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi.
Në Këshillin Gjyqësor Republikan anëtarë shqiptarë janë: Shemsedin Jusufi, Beqir Shahini, Bekim Rexhepi dhe Selim Ademi që sot u zgjodh edhe si nënkryetarë. (Florije Kamberi, TVM2)
