Botë
Izraeli ashpërsoi bombardimet në Gaza
25.10.2023 12:23
Ushtria e Izraelit i ka ashpërsuar bombardimet në jug të Rripit të Gazës të mërkurën...

Ushtria e Izraelit i ka ashpërsuar bombardimet në jug të Rripit të Gazës të mërkurën, një ditë pas njërës prej ditëve më vdekjeprurëse për palestinezët që kur nisi konflikti, pavarësisht thirrjeve të liderëve botërorë për ndaljen e luftimeve për ta mundësuar futjen e ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar.
Mbi 700 palestinezë, përfshirë 305 fëmijë, u vranë të martën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare, ky është numri më i lartë i të vrarëve brenda një dite që kur filluan luftimet tri javë më parë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden dhe princi i kurorës i Arabisë Saudite, Muhamed Bin Salman, biseduan në telefon të martën dhe u pajtuan për një diplomaci më të gjerë “për ta ruajtur stabilitetin në rajon dhe për ta parandaluar përhapjen e konfliktit.”, tha Shtëpia e Bardhë.
Irani mbështet Hamasin dhe Hezbollahun, si dhe e ka paralajmëruar Izraelin ta ndalë luftën e ashpër në Gazë. Ministria palestineze në Rripin e Gazës së udhëhequr nga Hamasi tha se së paku 5,791 njerëz janë vrarë nga bombardimet izraelite në enklavë që nga 7 tetor, përfshirë 2,360 fëmijë.
