Integrimet, Baer: Rikthimi i procesit demokratik, emergjencë
Ambasadori austriak në vend, Tomas Baer, hodhi poshtë akuzat e deputetit të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, i cili një ditë më parë fajin për ngecje në procesin eurointegrues ua hodhi qeverive dhe ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së, duke e fokusuar problemin vetëm në kontestin rreth emrit...

“Keni problem me funksionimin e shtetit ligjor dhe demokracinë, që kërkojnë zgjidhje emergjente”–thekson Baer.
“Gjërat urgjente janë se procesi demokratik duhet të rikthehet, që parlamenti duhet të funksionojë, që institucionet demokratike duhet të funksionojnë, që shteti ligjor nuk duhet të jetë në këtë gjendje që është, ka indikatorë të fuqishëm që shteti ligjor nuk është mbajtur. Këto janë gjërat që drejtpërdrejt ndikojnë në gjasat për të pasur marrëdhënie më të ngushta me BE-në, e që janë shumë më të rëndësishme”- deklaroi ambasadori i Austrisë, Tomas Mihael Baer.
Baer, tha se vendet anëtare janë të gatshme të ndihmojnë në tejkalimin e krizës politike në vend, por presin qasjen e duhur nga qeveria dhe inkurajim nga palët se kanë nevojë për një ndihmë të tillë.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri për çështje evropiane sqaron se mundësia për heqjen e rekomandimit është e hapur shkaku i situatës së përgjithshme në vend, por edhe shkaku i bindjes se mbajtja e “status kuosë” për një afat të gjatë nuk është e favorshme. Megjithatë, vendi nuk e rrezikon statusin e vendit kandidat, jo për shkak të angazhimit të institucioneve vendore, por për shkak të përcaktimit të BE-së për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.
“Mendoj se ai është proces të cilin BE e ka të definuar dhe Maqedonia këtë status e ka dhe gjashtë vite me radhe ka pasur rekomandim për të filluar negociatat. Statusi kandidat gjithashtu implikon edhe fondet IPA dhe mendoj që BE është e qartë për statusin kandidat që vendet e rajonit duhet të vazhdojnë drejt integrimeve evropiane dhe ky është interes edhe i BE-së”- tha zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
Përndryshe, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Ambasada austriake organizuan një takim me gazetarë dhe qytetarë për ngritjen e vetëdijes për vlerat e BE-së dhe vendeve anëtare. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
