Kulturë
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Tetovë, Teatri shqiptar i Kumanovës u prezantua me shfaqje
25.10.2023 14:49
“Fluturim mbi teatrin shqiptar” ishte shfaqja që mbrëmë aktorët e Teatrit shqiptar të Kumanovës...

“Fluturim mbi teatrin shqiptar” ishte shfaqja që mbrëmë aktorët e Teatrit shqiptar të Kumanovës e sollën para publikut tetovar. Regjisori i shfaqjes tha se kjo shfaqje tregon realitetin e politikës dhe kulturës në vendet ku jetojnë shqiptarët.
“Shfaqja është e natyrës politike, flet për të gjitha problemet që ballafaqojnë aktualisht kulturën, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë e Shqipëri, në të gjitha ato vende ku ka shqiptarë. Kjo shfaqje flet më shumë se kurrë për këtë gjendje aktuale që kemi në nivel kulturor.”, - deklaroi regjisori, Erson Zymberi.
Ne njihemi tani e shumë vite me publikun tetovar, por sonte ato na kanë pritur shumë mirë, tha aktori, Shkëlqim Islami.
“Me publikun tetovar njihemi tani e shumë vite pasi kemi marr pjesë me shfaqje të ndryshme, por kjo e sotmja “Fluturimi mbi teatrin shqiptar” shpresoj se u ka pëlqyer dhe ka tekst shqiptar. Ne kemi kaluar jashtëzakonisht mirë dhe publiku e ka mirëpritur shumë mirë me reagimet e tyre.”, - theksoi aktori, Shkëlqim Islami.
Ndërkaq, sonte do të jetë shfaqja në gjuhën maqedonase “Vernisazh” nga Teatri i Dramës, Shkup.
VISAR SADIKI