Bajerni dhe Reali me një këmbë në turin tjetër

25.10.2023 14:58

Mbrëmë u luajtën ndeshjet e xhiros së tretë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve...

Mbrëmë u luajtën ndeshjet e xhiros së tretë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, ku padyshim Reali i Madridit dhe Bajerni i Mynihut në grupet respektive siguruan fitore të lehta që i mban në krye dhe u jep avantazhe për të kaluar në raundin tjetër. Kështu, në kuadër të grupit A, Bajerni i Mynihut fitoi mbrëmë në transfertën turke me Gallatasarain, me rezultatin 3-1. Ishte një ndeshje e bukur, sidomos në pjesën e parë. Koman shënoi për gjermanët në minutën e 8-të, duke paralajmëruar seriozitetin e bavarezëve në këtë duel. Por një penallti e shndërruar në gol nga Ikardi në minutën e 30-të, bëri që turqit të entuziazmohen e të shpresojnë në fitore.
 
Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1, por në të dytën Bajerni shënoi dy gola të tjerë, fillimisht me Herri Kejn në minutën e 73-të e më pas me Musialën në minutën e 79-të, për ta fituar ndeshjen 3-1 dhe për të mbajtur kreun e grupit A me 9 pikë të plota. Gallatasarai mbetet i dyti me 4 pikë. Ndërkohë, një gol në pjesën e dytë nga Herri Meguajër, i dha Mançester Junajtid një fitore me shumë vlerë në këtë grup ndaj Kopenhagenit, pasi e fut në vallen e kualifikimit. 
 
Në grupin B, u luajt mbrëmë kryendeshja e xhiros së tretë, ku Sevilja u përplas me Arsenalin. Fituan anglezët 2-1 që siguruan një trepikësh me mjaft vlerë për renditjen. Me këtë fitore Arsenali u ngjit në krye me 6 pikë, ndjekur nga Lensi francez me 5 pikë. Lensi barazoi dje 1-1 me PSV Eindhoven.  Kjo e fundit bashkë me Seviljen kanë nga dy pikë secila.
 
Në Grupin C Reali i Madridit dhe Napoli vijuan të dominojnë në ndeshjet e tyre. Kështu, madrilenët fituan 2-1 me Bragën, kurse Napoli mundi në transfertë Union Berlinin 1-0.  Pas kësaj xhiroje Reali mban kreun me 9 pikë të plota, kurse Napoli ngjitet i dyti me 6 pikë.
 
Në Grupin D, Interi regjistroi mbrëmë një fitore të lehtë por edhe të rëndësishme ndaj Salcburgut, me shifrat 2-1, duke marrë një trepikësh që e pozicionon në kryesim. Për zikaltrit shënuan Sançez në minutën e 19-të dhe në mesin e pjesës së dytë Calhanoglu me penallti. Para turkut shënoi golin për austriakët Gluk. Po në këtë grup, Real Soeciedad në transfertë mundi Benfikën 1-0, e shkon në 7 pikë, po aq sa Interi.