Jankullovska: Do të ndëshkohen autorët e përgjimeve
Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, vazhdon të mbrojë qëndrimin se publikimi i materialeve komprometuese nga ana e liderit të opozitës, Zoran Zaev, nuk është asgjë tjetër përveç se një akt i turpshëm kriminel dhe aspak patriotik...

Në shënimin e përvjetorit të 34 të Njësitit elitar Policor,“Tigrat”, Jankullovska tha se edhe 15 vite më parë kishte një aferë përgjimi me qëllim rrënimin e institucioneve të shtetit, ndërsa autori i saj kishte kaluar pa u ndëshkuar.
“15 vite më vonë Maqedonia përsëri po përballet me një tentim për sulm mbi institucionet, përsëri po ballafaqohemi me një tentativë që të lihet peng ardhmëria e Maqedonisë për interesa personale të dikujt. Po tentojnë të na bindin se ky akt i turpshëm kriminel gjoja është vepër e disa patriotëve të ashtuquajtur, të dyshuar për spiunazh, përgjim të paligjshëm dhe bashkëpunim me shërbime të huaja, nuk janë dhe asnjëherë nuk mund të jenë patriotë”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Jankullovska, tha kësaj radhe se autorët e, siç u shpreh, përgjimeve të montuara nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar, pasi për dallim nga 15 vite më parë, tani, sipas saj, Maqedonia dhe institucionet e saj janë të fuqishme.
“Atëherë afera përfundoi pa përgjegjësi penale, por tani Maqedonia është më e fuqishme dhe tregon se ka kapacitet. Tani pseudopatriotët janë zbuluar dhe të njëjtit po ndiqen penalisht, kurse njëri prej tyre tashmë është gjykuar. Ata janë të bindur se përrallat e tyre tani nuk kalojnë tek qytetarët, janë të vetëdijshëm se vetëm po njollosin emrin dhe domethënien “patriot”, me të cilin të gjithë ne krenohemi”- tha Jankullovska.
Në shënimin e përvjetorit të Njësitit “Tigrat”, i vetmi pjesëtar shqiptar ishte zëvendësministri i Brendshëm, Zemri Qamili, i cili madje as që u përshëndet nga shefja e tij, Jankullovska. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
