Maqedoni

Zgjedhjet, Kovaçevski: Të rregullta me dakordim në Kuvend

25.10.2023 15:31

Zgjedhjet do të mbahen në afat të rregullt dhe do të duhet të dakordohen nga të gjitha partitë parlamentare

Zgjedhjet do të mbahen në afat të rregullt dhe do të duhet të dakordohen nga të gjitha partitë parlamentare, ka deklaruar kryeministri, Dimitar Kovaçevski, pasi kreu i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, bëri thirrje që zgjedhjet të mbahen midis dy festave fetare në pranverë. Kovaçevski thotë se kreu i VMRO-DPMNE-së taktizon me qëndrimet.
 
“Kryetari i VMRO-DPMNE-së ndryshon qëndrimet, pasi ai fliste se do të ketë zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që unë thoja se do të ketë zgjedhje të rregullta. Dhe në fund do të kemi zgjedhje të rregullta. Kjo nënkupton se vazhdon të qëndrojë ajo që unë kam thënë që nga dit e parë kur kemi folur për zgjedhjet. Sa i përket datës, kjo do të duhet të dakordohet me të gjitha partitë politike.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Sipas kryeministrit, atëherë kur do të arrihet marrëveshje për datën, do të nisin edhe përgatitjet për zgjedhje. Se kush duhet t’i inicioj grupet e punës në Kuvend për të dakorduar datën, kryeministri shprehet se kjo duhet të burojë nga vetë partitë parlamentare.
 
“Nëse grupet e punës i nxit qeveria, atëherë ato do të duhet të jenë në qeveri. Andaj gjithmonë këto diskutime janë realizuar në kuadër të Kuvendit ku janë të përfaqësuara të gjitha partitë parlamentare, qofshin nga pushteti apo opozita.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Ndryshe nga Kovaçevski, ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, ditë më parë adresoi ofertë politike VMRO-DPMNE-së, që të caktojë datën e zgjedhjeve vetëm nëse voton ndryshimet kushtetuese.
 
MERAL ISMAILI