Kurti dhe Vuçiqi, të enjten në Bruksel

25.10.2023 15:47

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten do të qëndrojnë në Bruksel, ku do t’i takojnë ndaras presidentin e Francës, Emanuel Makron; kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni; kancelarin gjerman, Olaf Sholc dhe shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josef Borrell.

Ata janë ftuar në Bruksel katër ditë pasi emisarët perëndimorë i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që t’i normalizojnë marrëdhëniet, për çka u kanë dorëzuar edhe një plan, i cili nuk është bërë publik për opinionin.

Kosova pranoi planin e 5 emisarëve, Kurti: Nëse nuk ndëshkohet Serbia, dialogu mund të dështojë

Nga qeveria e Kosovës kanë konfirmuar se Kurti të enjten do të qëndrojë në Bruksel, ndërsa kanë bërë të ditur se kryeministri kosovar është dakorduar që plani i emisarëve perëndimorë të jetë kornizë për bisedimet e mëtejshme.

“Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate: ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.”.

Qeveria ka thënë se takimi do të jetë "në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike, bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7".

Qeveria i është referuar Marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh, të arritur mes dy vendeve në shkurt të këtij viti në Bruksel dhe Ohër. Por, në një intervistë për “Financial Times”, kryeministri Albin Kurti ka thënë se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të dështojë në rast se Brukseli nuk bëhet më i ashpër ndaj Beogradit.

Në një intervistë për “Financial Times”, Kurti citohet të ketë thënë se “perëndimi duhet t`i shuajë shpresat për rikthim të bisedimeve në rrugën e duhur, nëse nuk vepron më ashpër ndaj Serbisë”.

“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog. Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare  çështjen e normalizimit. Ata tentuan një luftë të re në Kosovë për të aneksuar pjesën veriore të vendit tonë.”.

Kurti njëherit i bëri thirrje të dërguarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, të ndalojë “së konsideruari Serbinë si fuqi të natyrës, një lloj ariu irracional që duhet t'i hedhim qengja për ta qetësuar”. (Gyltene Sinani, TVM2)